Goce Sedlloski emërohet seleksionues i ri i Maqedonisë së Veriut

Goce Sedlloski emërohet seleksionues i ri i Maqedonisë së Veriut

Këshilli drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka marrë vendim për emërimin e Goce Sedlloskit si seleksionues të ri të përfaqësueses A të Maqedonisë së Veriut.

Vendimi është marrë pas propozimit të Komisionit për zgjedhjen e seleksionuesit, i cili përbëhet nga drejtuesit kryesorë të FFM-së si dhe ish-futbollistë të njohur të përfaqësueses kombëtare.

Goce Sedlloski konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit maqedonas. Si futbollist, ai ka zhvilluar 100 ndeshje me fanellën e përfaqësueses, duke shënuar 8 gola dhe duke u bërë lojtari i parë që ka arritur këtë shifër paraqitjesh në ekipin kombëtar.

Sedlloski ka qenë më parë pjesë e stafit të përfaqësueses, duke e drejtuar ekipin si ushtrues detyre në vitin 2012, në ndeshjen miqësore kundër Lituanisë. Në karrierën e tij si trajner, ai ka drejtuar disa klube të njohura, si Vardari, Shkupi, Riga, Shiroki Brijeg, Vllaznia dhe Rabotniçki. Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar tituj kampioni me Vardarin dhe Shkupin, si dhe Kupën e Maqedonisë me Vardarin.

Nga FFM vlerësojnë se përvoja, profesionalizmi dhe autoriteti i Sedlloskit do të kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e përfaqësueses në periudhën e ardhshme.

Prezantimi zyrtar i Goce Sedlloskit si seleksionues i ri i Maqedonisë së Veriut do të mbahet të martën, në ora 11:30, në Shkup.

MARKETING