(VIDEO) Aksidenti vdekjeprurës në Marino, prokuroria ngriti akuzë ndaj deputetit Sashko Jançev
Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti aktakuzë kundër deputet nga partia Levica Sashko Jançev, për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, sipas nenit 300 paragrafi 4, në lidhje me nenin 297 paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal.
Aktakuza ka të bëjë me aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi më 14 shtator, pas mesnate, në fshatin Marino të Shkupit, në të cilin humbi jetën 16-vjeçari Matej Dimovski, ndërsa bashkëudhëtarja e tij 13-vjeçare mori lëndime të rënda.
Nga prokuroria shtuan se, prokurori publik i siguroi të gjitha provat dhe, përmes ekspertizave përkatëse, i përcaktoi shkaqet e aksidentit rrugor që ndodhi më 14 shtator pas mesnate në fshatin Marino.
Prokuroria Publike
I dyshuari drejtonte një automjet “Hyundai Tucson”, por nuk u përmbajt rregullave dhe me këtë rrezikoi trafikun publik, duke vënë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve. Ai ktheu automjetin në mënyrë të parregullt pa u siguruar se mund ta bënte këtë pa rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Në atë moment, automjeti u godit nga një motor “Yijing” pa targa regjistrimi dhe pa pajisje ndriçimi të instaluara, të cilin e drejtonte 16-vjeçari Matej Dimovski. Drejtuesi i motorit nuk posedonte leje drejtimi, ndërsa ai dhe pasagjerja e tij nuk mbanin helmeta mbrojtëse. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident, 16-vjeçari ndërroi jetë, ndërsa pasagjerja e tij 13-vjeçare u lëndua rëndë.
Kujtojmë se, prindërit e vajzës 13-vjeçare që u lëndua rëndë në aksidentin rrugor, më 11 dhjetor i dërguan letër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Sashko Jançev
Në letër, prindërit shprehën shqetësimin e tyre për ndikim mbi procesin gjyqësor, pasi ende nuk është ngritur aktakuzë për këtë ngjarje tragjike. Ata shprehin dyshime se deputeti mund të keqpërdorë funksionin e tij dhe të thirret në imunitetin parlamentar, me ç’rast, siç theksojnë, “do të shmangte masa të mundshme për sigurimin e pranisë ose masa të tjera që do t’i përcaktonin organet kompetente”. Për këtë arsye, ata kërkojnë nga Gashi që në rendin e ditës të Kuvendit të vendosë kërkesën për heqjen e imunitetit të Jançevit.
Megjithatë Gashi tha se, nuk është përgjegjës për këtë gjë dhe se në lidhje me këtë duhet të vendosin organet kompetente, përkatësisht kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetin duhet të jetë kërkesë institucionale.
Teuta Buçi /SHENJA/

