(VIDEO) Kamerat do të kapin edhe shoferët që hedhin bishta cigaresh

(VIDEO) Kamerat do të kapin edhe shoferët që hedhin bishta cigaresh

Iniciativa qytetare “Për një Maqedoni më të pastër” ka nisur një nismë për vendosjen e detektimit dhe ndëshkimit automatik të hedhjes së bishtave të cigareve dhe mbeturinave nga automjetet, përmes sistemit “Qytet i Sigurt”, me qëllim uljen e ndotjes dhe rritjen e ndërgjegjësimit ekologjik publik.

Nga iniciativa theksojnë se hedhja e bishtave të cigareve dhe mbeturinave nga automjetet prej vitesh paraqet një problem serioz në vend, si nga aspekti i ndotjes ashtu edhe nga ai i sigurisë publike. Sipas tyre, vendosja e sanksioneve automatike do të çojë në një ndryshim të shpejtë të zakoneve të qytetarëve, gjë që konfirmohet edhe nga studime të shumta ndërkombëtare.

INICIATIVA “PËR NJË MAQEDONI MË TË PASTËR”

Ky është një ndryshim i vogël sistemik, por me përfitime të mëdha. Kur shkeljet detektohen dhe ndëshkohen automatikisht, qytetarët shumë më shpejt e ndryshojnë sjelljen”.

Sipas tyre, teknologjikisht është e mundur që sistemi të përmirësohet me një algoritëm për njohjen e hedhjes së objekteve nga automjetet, praktikë që tashmë aplikohet në disa qytete evropiane. Nga iniciativa “Për një Maqedoni më të pastër” sqarojnë se bishtat e cigareve janë lloji më i shpeshtë i mbeturinave në rrugë, trotuare dhe përgjatë rrugëve. Një bisht cigareje përmban substanca toksike si nikotina, plumbi dhe arseniku, ndërsa për t’u dekompozuar plotësisht nevojiten deri në 10 vjet. Për më tepër, fijet mikroplastike nga filtrat përfundojnë në tokë dhe ujëra, duke shkaktuar ndotje afatgjatë.

INICIATIVA “PËR NJË MAQEDONI MË TË PASTËR”

Hedhja e bishtave të cigareve nga automjetet, sidomos gjatë lëvizjes, mund të shkaktojë zjarre serioze pyjore, të cilat çdo vit shkaktojnë dëme të mëdha në natyrë, pronë dhe në sigurinë e qytetarëve”.

Iniciativa “Për një Maqedoni më të pastër” thekson se vendosja e detektimit dhe ndëshkimit automatik do të kontribuojë në uljen e ndotjes, zvogëlimin e numrit të zjarreve, rritjen e disiplinës në komunikacion dhe zhvillimin e një shoqërie më të përgjegjshme dhe moderne. /SHENJA/

MARKETING