Mospërputhje minimale në kontrollet e AUV-së mbi sigurinë e pakove të Vitit të Ri
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka gjetur mospërputhje minimale në mbikëqyrjen e sigurisë së pakove të Vitit të Ri për fëmijë.
AUV informon se gjatë 262 kontrolleve inspektuese të kryera në depot e paketimit të pakove, markete dhe dyqane, asnjë operator ushqimor nuk është gjobitur dhe as nuk është asgjësuar ushqim i pasigurt.
“Për shkak të mospërputhjes midis afateve të deklaratës përmbledhëse me afatet individuale të produkteve në paketim dhe për shkak të deklaratave të paplota, shërbimet e inspektimit të AUV-së kanë lëshuar katër vendime me urdhër për tërheqjen e pakove të Vitit të Ri nga qarkullimi, dhe dy operatorëve të ushqimit u janë lëshuar vendime me urdhër për vendosjen e deklaratave përmbledhëse në paketime”, informon Agjencia.
AUV shton se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit janë përcaktuar mospërputhje minimale në pakot e Vitit të Ri dhe njofton se para dhe pas festave të Vitit të Ri do të vazhdojnë të kryejnë kontrolle për të monitoruar sigurinë e kësaj kategorie produktesh.

