Trump: Një marrëveshje për Ukrainën është “më afër se kurrë”
Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve të zhvilluara më 15 dhjetor, me qëllim të përfundimit të luftës së nisur nga Rusia në tokën ukrainase, teksa Uashingtoni raportohet t’i ketë ofruar Kievit garanci të sigurisë të modelit të Artikullit 5 të NATO-s.
Ndonëse ende ka pikëpyetje për çështje me rëndësi, përfshirë fatin e territorit që Kievi vazhdon ta kontrollojë në rajonin lindor Donjeck, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se duket që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore është më afër se kurrë.
“Po përpiqemi ta finalizojmë, besoj se jemi më afër tani”, u ka thënë Trump gazetarëve në Zyrën Ovale më 15 dhjetor pasi delegacionet amerikane, evropiane dhe ukrainase kanë zhvilluar disa ditë negociata në Berlin.
“Kemi zhvilluar disa biseda me presidentin [rus, Vladimir] Putin të Rusisë dhe besoj se jemi më afër se kurrë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë”.
Trump e ka përmendur se ka biseduar së fundmi me presidentin rus, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenky ka thënë se bisedimet kanë qenë të vështira, por të dobishme dhe që shefi i tij negociator, Rustem Umerov ka thënë se ka pasur “përparim real” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, që kanë qenë pjesë e delegacionit amerikan.
“Këto biseda nuk janë gjithmonë të lehta, do të jem i sinqertë me ju. Por ka qenë bisedë produktive, me shumë hollësi, me të vërtetë shumë”, ka thënë Zelensky në një forum bizensor gjermano-ukrainas që është mbajtur pas takimit SHBA-Ukrainë.

