Kongresi i VMRO-DPMNE-së në Kavadar, pritet rizgjedhja e Mickoskit
Në Kavadar sot në Kongresin e 18-të të VMRO-DPMNE-së pritet të rizgjedhet Hristijan Mickoski për udhëheqës të partisë, i cili është edhe kandidati i vetëm për këtë funksion.
Deri më tani, në garën për kryetar të partisë nuk është paraqitur asnjë kandidat tjetër, ndërsa Mickoski ka premtuar që nëse rizgjedhet, ky do të jetë mandati i tij i fundit.
Pritjet janë që në kongres të ketë 860 delegatë dhe rreth 1800 mysafirë, ndërsa do të zgjidhet edhe Komisioni Statutar për mbikëqyrjen e punës financiare. Gjithashtu, pritet që të miratohet edhe Strategjia “Maqedonia 2030”, i cili do të jetë vizioni i partisë për këtë periudhë. Pas Kongresit, pritet që Mickoski të vendos për rifreskim eventual të disa emrave në qeveri.

