(VIDEO) OVL e UÇK-së paralajmëron protestë më 13 dhjetor në Shkup

(VIDEO) OVL e UÇK-së paralajmëron protestë më 13 dhjetor në Shkup

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla ka njoftuar se protesta e pestë me radhë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë do të mbahet më 13 dhjetor në ora 13: 00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Kjo u bë e ditur përmes një konference për media ku ndër të tjera tha se për këtë protestë janë dakorduar edhe me Ali Ahmetin dhe me bashkëluftëtarët që kanë në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, siç tha Syla edhe pse kanë dorëzuar kërkesë për shfrytëzimin e hapësirës për mbajtjen e kësaj protestë në organet kompetente ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare. Ai theksoi se protesta do mbahet me ose pa mbeshtetjen e institucioneve të RMV-së, duke shtuar se është e padrejtë që të pamundësohet mbajtja e kësaj proteste, pasi është e drejtë universale.

GAZMEND SYLA, NËNKRYETAR I OVL-UÇK

Ne e kemi shpallë protestën, kena me marrë pjesë në protestë, protesta ka me u zhvillu me ose pa mbeshtjetjen, është e padrejtë me na u pamundësu mbajtja e protestës. Po e perserisë, janë të drejta universale, nuk do duhej të politizoheshin në asnjë rrethanë”.

Syla ftoi qytetarët të bashkohen në protestë duke shtuar se ka qenë kerkesë e bashkëluftetarëve në RMVi.

GAZMEND SYLA, NËNKRYETAR I OVL-UÇK

Ftoj qytetarët të bashkohen në protestë sepse ka qenë kerkesë edhe e bashkëluftetarëve atje, kështu që shihemi të shtunën , në ora 13:00, me datën 13, në sheshin Skenderbej në Shkup”.

Ndërkohë, dje kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar protestën si një “lëvizje të gabuar”. “Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”, ka theksuar Mickoski. I pyetur se si i komenton deklaratat e Mickoskit ai tha: “Ne nuk i kemi bërë ftesë që të marr pjesë në këtë protestë. Me tregu drejtë kjo është e ngjashme me deklaratat e Georgevskit në vitin 2001, pra ish kryeministrit të atëhershëm”.

Kjo është protesta e pestë me radhë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, pas atyre në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg. /SHENJA/

MARKETING