(VIDEO) Kambovski mohon se gjykatësit marrin paga 180 mijë denarëshe
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, pajtohet me propozimin e kryeministrit që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë të përgatisin një listë të asaj që u nevojitet në aspektin financiar dhe ta dorëzojnë atë.
Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor
“Absolutisht, se pajtohem me kryeministrin. Duhet të kemi një buxhet, në mënyrë që të dimë se çfarë duam, në mënyrë që buxheti qendror të mund të ndajë fondet që na nevojiten. Dhe nga deklaratat e tij, kuptoj se ai gjithashtu pranon të vazhdojë në atë mënyrë”.
Buxheti për vitin e ardhshëm theksoi ai tashmë është drejt përfundimit dhe bëri me dije se planifikojnë punësimin e minimumit të punonjësve të nevojshëm që mungojnë nëpër gjykata.
Lidhur me deklaratën se kryetarët e gjykatave marrin pagë prej 180 mijë denarësh, Kambovski thotë se nuk ka një pagë të tillë në vend.
Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor
“Gjykatësi në Gjykatën Themelore me kompetencë themelore ka pagë neto 86.623 denarë, me kompetencë të zgjeruar e ka 89.346 denarë, kryetari i Gjykatës Themelore e ka 99.112 denarë. Këto janë pagat e Gjykatave Themelore. Në Gjykatën Supreme, gjykatësi merr 105 000 denarë, kryetari 114 000 denarë”.
I pyetur se si janë pagat e gjykatësve në krahasim me vendet e tjera, Kambovski theksoi se ne jemi prapa sa i përket pagave. Ai shtoi se që të arrijmë të kapim vendet fqinje fillimisht duhet të kemi shpenzime më të larta, kështu që siç tha, kur të arrijmë këtë atëherë do të jetë një llogaritje tjetër. Përndryshe, shtoi se mbetemi prapa në aspektin e vendeve fqinje, dhe lëre më të Bashkimit Evropian.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

