(VIDEO) Asnjëri nga 35 të akuzuarit nuk ndjehet fajtor për zjarrin në “Pulse”

(VIDEO) Asnjëri nga 35 të akuzuarit nuk ndjehet fajtor për zjarrin në “Pulse”

Të gjithë 35 të akuzuarit në rastin e Koçanit u deklaruan të pafajshëm për veprat që u ngarkohen nga prokuroria, për tragjedinë e cila ndodhi në diskotekën “Pulse”. Disa shprehnin keqardhje për atë që ka ndodhur, shprehnin ngushëllime për familjet e viktimave e u uronin shërim atyre që ende po luftojnë me plagët, por që të gjithë e hoqën fajësinë nga vetja, duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me këtë rast dhe se nuk e dinë pse akuzohen, kur siç thanë kanë vite që nuk punojnë në institucionet, prej të cilave pozicione kërkohet përgjegjësi.

Derisa të akuzuarit deklaronin pafajsinë e tyre para gjykate, familjarët e personave që kanë ndërruar jetë, komentonin zëshëm nga salla, pas çka gjykatësja dha vërejtje që të qëndronin të qetë dhe të mos gjuajnë fjalë ndaj të akuzuarëve.

Seanca vazhdoi me fjalët hyrëse të avokatëve mbrojtës. “Dejan nuk është monstër. Ai është person i thjeshtë, të cilit i është ngarkuar papërgjegjësia institucionale”, kështu e nisi mbrojtjen Ivana Kocevska, avokate e pronarit të diskotekës “Pulse”, Dejan Jovanovit. Në mbrojtjen e saj, ajo gjeti faj tek të gjithë, duke nisur nga prokuroria e tek të gjitha institucionet e tek anëtarët e grupit DNK, por klienti i saj thotë se nuk ka asnjë faj.

Ivana Kocevska, avokate e Dejan Jovanovit

Mjetet piroteknike janë blerë në mënyrë të paligjshme. Ato nuk janë paraqitur tek kompetentët, ndërsa për këtë nuk ka qenë i njoftuar as Dejani.Të gjithë ne jemi rritur me këngët egrupit DNK, të gjithë i kemi dashur dhe i duam ata, por kjo nuk e mbulon faktin se përdorimi i tyre të mjeteve piroteknike ishte në mënyrë jo të rregulltë, në kundërshtim me ligjin dhe ka qenë vetëm çështje se kur dhe ku do të shkaktohej zjarr”.

Ndërsa i akuzuari parë Dejan Jovanovski u shpreh se ende edhe sot nuk mund ta besoj se çfarë ka ndodhur atë natë.

Dejan Jovanovski, pronar i diskotekës “Pulse”

Unë si njeri dhe si prind, në vendin ku mblidheshin shumë të rinjë, edhe fëmijët e mi, a do të kishte mundësi të lejoj të ndodh një gjë e tillë? Nëse do e dija se mungon diçka, do të kisha ndërmarrë gjithëçka që të reagohej në kohë. Të gjithë ata që më njohin mirë e dijnë se sa jam kujdesur për sigurinë e mysafirëve në klub”.

Në fillim të seancës së sotme, gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska e paralajmëroi të akuzuarin Xhavair Kamberi, nëpunës shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë i cili është në paraburgim, pasi siç tha ajo në qelinë e tij janë gjetur gjithsej 13 telefona celularë dhe një laptop. Për këtë gjë Kamberi u shpreh se ato i ka gjetur aty kur ka hyrë në qeli.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Në këtë rast, të akuzuar janë 35 persona dhe 3 subjekte juridike.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING