(VIDEO) LSDM dorëzon te antikorrupsioni tenderin 9 mln eurosh

(VIDEO) LSDM dorëzon te antikorrupsioni tenderin 9 mln eurosh

Partia opozitare maqedonase, LSDM, sot ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit , provat dhe informacionet që i kanë publikuar këto ditë, në lidhje me shpalosjen e siç thonë ata, “skandaleve kriminale të qeverisë së Mickoskit”. Ata ditë më parë theksuan se për një tender prej 9 milionë euro, kompania “Digital One”, me vetëm dy të punësuar, brenda një viti ka marrë tenderë me vlerë gati nëntë milionë euro.

PETAR OGNJENOVIQ, LSDM

Kur nga gjashtë kontrata, katër prej tyre me vlerë milionëshe janë me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Mickoskit, atëherë çfarë është kjo nëse jo favorizim i kompanive të preferuara? Këto janë të njëjtat skema të Nikolla Gruevskit. Hristijan Mickoski është vetëm nxënësi dhe vazhduesi i metodave të tij”.

Nga LSDM kërkojnë që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të hapë lëndë mënjëherë, të zhvillojë procedurë dhe të hetojë të gjitha elementet.

Kujtojmë se partia e Venko Filipçës, ka filluar që nga e diela të shpalosë siç thonë, “skandale të qeverisë së Mickoskit”. Ata theksojnë se kompania “Digital One”, e formuar në fund të gushtit të vitit të kaluar, me vetëm dy të punësuar, brenda një viti ka marrë tenderë me vlerë gati nëntë milionë euro, para të qytetarëve, duke shtuar se të gjithë këta tenderë kanë qenë nga institucione qeveritare dhe shtetërore në periudhën nga maji 2025, e deri sot.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING