Brenda vetëm 12 orëve, “Safe City” regjistron 65.000 shkelje të trafikut
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se gjatë 12 orëve të para të periudhës provuese të sistemit “Qytet i Sigurt” (Safe City), janë regjistruar gjithsej 65.000 shkelje në komunikacion. Ndër to, sistemi ka evidentuar edhe 1.000 automjete të paregjistruara.
“Sot nga SPB-Shkup shënuam fillimin e periudhës provuese të sistemit ‘Qytet i Sigurt’. Vetëm në 12 orët e para u regjistruan 65.000 kundërvajtje. Me këtë projekt po hyjmë në një fazë të re të përmirësimit të sigurisë në komunikacion – shkelësit do të marrin njoftim elektronik për kundërvajtjen, të dokumentuar me pajisje bashkëkohore të regjistrimit”, tha Toshkovski.
Sipas ministrit, sistemi synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të ulë numrin e shkeljeve, duke aplikuar tolerancë zero ndaj ngasjes së pakujdesshme, si në zonat urbane ashtu edhe jashtë vendbanimeve.
Nga shkeljet e regjistruara në këto 12 orë, 2.800 ishin për kalim në dritë të kuqe, ndërsa 1.000 kishin të bënin me automjete të paregjistruara.

