Presidenti turk dhe ai koreano-jugor diskutojnë hapat për të forcuar bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se takimi i tij në Ankara me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, u përqendrua në hapat për të avancuar bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes midis dy vendeve, raporton Anadolu.
“Diskutimet tona me institucionet përkatëse mbi krijimin e një termocentrali të pastër gjithashtu janë duke vazhduar”, tha Erdogan në një konferencë për media me homologun e tij korano-jugor.
Erdogan tha se Ankaraja sheh mundësi për të punuar me Seulin në rajone të shumta, përfshirë Irakun, Afrikën, Azinë Qendrore, si dhe në rindërtimin e Sirisë dhe Gazës.
Presidenti turk theksoi se ashtu si vendi i tij edhe Koreja e Jugut ndajnë një qëndrim të përbashkët për Gazën, duke mbrojtur ruajtjen e armëpushimit, parandalimin e vrasjes së njerëzve të pafajshëm dhe zgjidhjen me dy shtete.
Lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të gjitha përpjekjet diplomatike për të siguruar “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë, veçanërisht përmes bisedimeve në Stamboll.
Lee, nga ana e tij, tha se partneriteti strategjik midis dy kombeve “do të forcohet edhe më shumë dhe do t’u kalohet brezave të ardhshëm”.
Presidenti Erdogan priti homologun e tij koreano-jugor me një ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin turk.
Pas ceremonisë, ata zhvilluan një takim dypalësh, si dhe bashkë-kryesuan një takim midis delegacionesh.

