(VIDEO) Katër vjet nga tragjedia me 45 viktima, rasti ende pa epilog gjyqësor
Sot shënohet 4-vjetori i njërës prej tragjedive më të rënda rrugore në rajon, ku humbën jetën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë, dhe 7 të tjerë u lënduan. Familjet e viktimave vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e humbjes dhe mungesën e përgjegjësisë për ngjarjen që i mori më të dashurit e tyre.
Tragjedia ndodhi më 23 nëntor 2021, kur autobusi i kompanisë “Besa Trans”, që po kthehej nga Stambolli, u përplas dhe u përfshi nga flakët në autostradën Struma në Bullgari. Hetimet e para e përcaktuan shoferin e autobusit – i cili gjithashtu humbi jetën – si përgjegjës, ndërkaq pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, dhe përfaqësuesi juridik i subjektit kanë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.
Gjykimi për këtë rast nisi më 15 nëntor 2022, por në dhjetor 2024 Gjykata e Apelit shfuqizoi vendimin e shkallës së parë dhe lënda rifilloi nga e para në korrik 2025. Të akuzuar janë sërish Haxhiu dhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit. Mbrojtja thotë se nuk ka falsifikim të dokumenteve për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.
Por, Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë u suspenduan nga puna për shkak veprimit të paligjshëm.
Teuta Buçi /SHENJA/

