Samiti për klimën në Brazil, miratohet marrëveshja jo-detyruese për të reduktuar lëndët djegëse fosile
Vendet pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së për klimën në Belém, në Amazonë, miratuan vendimin qendror të COP30 pa një plan veprimi për daljen nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile që kërkuan evropianët dhe aleatët e tyre.
Teksti, produkt i një kompromisi të dhimbshëm pas dy javësh negociatash, u miratua me konsensus, pasi asnjë nga rreth 200 vendet anëtare të Marrëveshjes së Parisit nuk ngriti ndonjë kundërshtim përpara se presidenti i konferencës, André Correa do Lago, të shpallte punën të përfunduar.
Teksti kërkon një trefishim të financimit për përshtatjen për vendet në zhvillim gjatë dhjetë viteve të ardhshme, një nga kërkesat që u bënë jashtëzakonisht urgjente për punën e COP30.
Sesioni dyjavor në qytetin e Belémit ishte planifikuar zyrtarisht të përfundonte mbrëmë, por afati u humb pasi negociatat vazhduan deri vonë natën.
Brazili e quajti konferencën një moment përcaktues për bashkëpunimin global për klimën, duke u bërë thirrje vendeve të kapërcejnë boshllëqet në çështje të tilla si e ardhmja e lëndëve djegëse fosile dhe të dërgojnë mesazhin se veprimi i koordinuar global është mënyra më e mirë për të vazhduar përpjekjet.
“Kjo nuk mund të jetë një axhendë që na ndan”, u tha delegatëve në një seancë plenare publike Presidenti i COP30, André Correa do Lago.

