(VIDEO) Nëntori dhe identiteti shqiptar në tribunën kulturore në Preshevë

(VIDEO) Nëntori dhe identiteti shqiptar në tribunën kulturore në Preshevë

Dje, më 18 nëntor, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, u zhvillua tribuna kulturore në kuadër të ciklit të aktiviteteve “NëntorLuginë – VeçShqip”. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Kulturore “Dituria”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

MARKETING

Description of image

Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë një diskutim të thelluar nga panelistët e ftuar, shkrimtari i njohur Kim Mehmeti dhe sociologu Nexhmedin Ademi. Ata sollën perspektiva të ndryshme, por të ndërthurura, mbi simbolikën e muajit të Nëntorit në historinë shqiptare, duke ndalur vëmendjen tek rëndësia e kultivimit të kujtesës historike dhe vetëdijes qytetare ndër shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Gjatë tribunës u theksua nevoja për ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e rinj, si dhe roli i kulturës, gjuhës dhe traditës në forcimin e kohezionit shoqëror në këtë trevë. Panelistët nënvizuan se afirmimi i vlerave shqiptare në Luginë mbetet një proces i qëndrueshëm dhe i domosdoshëm, sidomos në një kohë kur dinamika shoqërore kërkon angazhim dhe vëmendje të vazhdueshme.

Tribuna u mbyll me mesazhin se Nëntori, si muaj i përvjetorëve historikë dhe simboleve kombëtare, është një rast i rëndësishëm reflektimi dhe motivimi për komunitetin shqiptar të Luginës së Preshevës, për të vazhduar me përkushtim në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe identitetit të tyre. /SHENJA/

 

MARKETING