(VIDEO) Sonte vendoset gjithçka: Maqedonia sfidon Uellsin
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut sonte, në stadiumin e “Kardifit”, do të përballet me Uellsin në ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror 2026. Kjo sfidë pritet të jetë vendimtare, pasi të dyja përfaqësueset luftojnë ngushtë per plej-ofin në Botëror.
Mbi 33 mijë tifozë vendas të Uellsit do të jenë prezent, që do të thotë se stadiumi do të jetë i stërmbushur. Ndërkaq, në anën tjetër, rreth 700 tifozë nga Maqedonia që kanë udhëtuar do të jenë gjithashtu prezent, duke mbështetur ekipin e tyre.
Seleksionuesi Bllagoja Milevski shprehet i bindur se skuadra e tij është e gatshme për sfidën dhe se lojtarët do të japin maksimumin në këtë ndeshje vendimtare.
Bllagoja Milevski, seleksionues i Maqedonisë
“Jemi të përgatitur për atë që na pret. Kemi një ndeshje që vendos shumë, por mesazhi im për lojtarët është ta luajnë me kënaqësi. Uellsi është një ekip i fortë dhe me një trajner të shkëlqyer, por të dy formacionet janë pothuajse të njëjtat si në përballjen e parë në Shkup. Jam i bindur se do të japim përgjigjen e duhur dhe do të arrijmë objektivat tona”.
Ndërkaq, kapiteni Enis Bardhi shprehet i bindur se Maqedonia ka forcën për t’u përballur me presionin dhe sfidën që e pret, edhe pse atmosfera në Kardif është e favorshme për vendasit.
Enis Bardhi, kapiten i Maqedonisë
“Po jemi gati për këtë ndeshje. Besoj se është një ndeshje shumë me rëndësi dhe është lojë e fundit e këtij kualifikimi. Besoj se të gjithë jemi gati. Shpresoj që të gjithë të jemi më shëndet të mirë nesër dhe ta vazhdojmë atë rrugë të cilën e lënë pa humbje që 1 vit e gjysmë apo 14 ndeshje pa humbje. Duhet ta shijojmë lojën dhe të jemi 100 përqind të koncetruar dhe besoj se do të kemi rezultate pozitive.
Mbetet të shihet nëse kjo sfidë përfundimtare do t’i sjellë Maqedonisë së Veriut rezultatin e dëshiruar, por përkushtimi dhe vendosmëria e ekipit mbeten një shpresë e madhe për tifozët dhe një mundësi për të shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit të vendit.
Samir Sinani /SHENJA/

