Sveçla: Serbia përmes bandave kriminale vazhdon të planifikojë sulme terroriste në Kosovë

Sveçla: Serbia përmes bandave kriminale vazhdon të planifikojë sulme terroriste në Kosovë

Dhjetë detonatorë ndezës me kabllo janë gjetur nga njësitë e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Komunën e Leposaviqit, transmeton Anadolu.

Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh njoftoi se ato u gjetën afër lumit të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.

“Raportohet se njësi nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë sjellë në stacion policor dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) të cilët i kishin gjetur në afërsi të fshatit afër lumit. Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili udhëzon që të iniciohet rasti si më lartë”, thuhet në njoftim.

Për këtë ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili tha se Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës.

“Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, tha Sveçla.

Më tej, ai tha se Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbi të gjitha Kosova është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave “do t’u përgjigjet ashtu siç e meritojnë”.

“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhënjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, shtoi Sveçla.

MARKETING