Trump: Për Venezuelën i kam idetë e qarta!
“Në vija të përgjithshme, e kam krijuar një ide, por nuk do t’jua them se cila është.” Kështu u shpreh presidenti amerikan Donald Trump për hapat e ardhshëm në lidhje me Venezuelën. Shumica e analistëve bien dakord se tashmë janë dy skenarë të mundshëm: sulme tokësore për të përmbysur regjimin ose rritje e presionit për të detyruar Nicolás Maduron të largohet. Pak besojnë se dërgimi i aeroplanmbajtëses Ford dhe 15 mijë ushtarëve në Karaibe ka për qëllim vetëm kapjen e trafikantëve të drogës. Sepse, nëse pas gjithë këtij zhurme nuk ndodh asgjë në Caracas, do të ishte e vështirë për Shtëpinë e Bardhë ta paraqiste “Operacionin Shtiza e Jugut” si sukses.
Që nga shtatori janë kryer rreth njëzet sulme ajrore kundër karteleve të drogës, me rreth 80 të vrarë. Ligjërisht, ushtria amerikane nuk lejohet të godasë civilë, edhe nëse janë kriminelë, por Departamenti i Drejtësisë e justifikon këtë me vendimin e presidentit për të klasifikuar kartelet si organizata terroriste.
Meqë Maduro konsiderohet si kreu i karteleve venezueliane, ai shihet gjithashtu si objektiv legjitim. Britania e Madhe dhe Kanadaja e kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke ndërprerë ndarjen e informacionit me SHBA-të për të mos u bërë bashkëfajtorë në veprime të konsideruara të paligjshme.
Përgjigjja erdhi nga “cari i kufijve”, Homan, i cili deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar nuk është një mik i vërtetë i vendit tonë dhe i presidentit”.
Tani mbetet për t’u parë se cilat janë qëllimet reale të Trump-it. Shtëpia e Bardhë ka përsëritur se qëllimi i operacionit është vetëm ndalimi i trafikut të drogës, edhe pse veprime të ngjashme nuk po ndërmerren ndaj Meksikës apo Kolumbisë, eksportuesit kryesorë të fentanilit dhe kokainës në SHBA.
Sipas New York Times, në biseda private, presidenti ka përmendur edhe rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës (300 miliardë fuçi) të vlerësuara si më të mëdhatë në botë. Në bisedimet para shtatorit, Maduro i kishte ofruar Trump-it mundësinë për t’i shfrytëzuar ato, me shpresën për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë. Trump e kishte refuzuar ofertën, por ajo ende mbetet në tryezë. Kjo nënkupton se presidenti amerikan mund të jetë duke përdorur forcën si mjet presioni për të arritur një marrëveshje më të favorshme me Maduron, ose për ta detyruar atë të largohet në mërgim apo të arrestohet. Përndryshe, mbetet vetëm opsioni i sulmeve tokësore, jo për të pushtuar vendin, por për të rrëzuar regjimin.
Ndërkohë, liderja e opozitës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, deklaroi se ndryshimi është i pashmangshëm: “Ajo që do të ndodhë, tashmë ka nisur,” tha ajo, duke u bërë thirrje ushtarakëve që “i binden urdhrave të turpshëm” të presidentit Nicolás Maduro të lënë armët dhe të mos i binden më qeverisë. “Momenti vendimtar është afër. Mos e sulmoni popullin tuaj. Merrni sot vendimin për të qëndruar në anën e lirisë së Venezuelës kur të vijë çasti.”
Në të njëjtën kohë, Maduro ka bërë thirrje në gjashtë rajone lindore të vendit si, Bolívar, Delta Amacuro, Monagas, Anzoátegui, Nueva Esparta dhe Sucre, për të organizuar “një vigjilje dhe marshim të përhershëm në rrugë”. Gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Caracas, ai ftoi “të gjitha forcat popullore, shoqërore, politike, ushtarake dhe të policisë” që “të mos bien pre e provokimeve në asnjë moment, por të mobilizohen me zjarr patriotik” për të kundërshtuar “anijet imperialiste” dhe “kërcënimet ushtarake”. Ai i quajti “stërvitje të papërgjegjshme” manovrat ushtarake në ujërat territoriale të Trinidadit.

