(VIDEO) Nisin hetime për “turizmin e vrasjeve” në Sarajevën e rrethuar nga serbët
Në Itali është hapur zyrtarisht hetim për të sqaruar vërtetësinë e një ngjarje të shumëpërfolur gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnjë. Prokurorët në Itali kanë hapur një hetim për pretendimet se disa shtetas italianë kanë udhëtuar në Bosnjë gjatë luftës për t’iu bashkuar njësive snajperiste serbe dhe për të qëlluar mbi civilë, thjeshtë për argëtim.
Hetimi, i nisur nga Prokuroria Publike e Milanos, fokusohet te individë të përshkruar në mediat italiane si “snajperë të fundjavës” – ekstremistë të djathtë që thuhet se paguanin shumën ekujvalente prej 80.000 deri në 100.000 eurove për të marrë pjesë në “ekspeditat e vrasjeve” gjatë rrethimit të Sarajevës.
Gazeta italiane “La Repubblica” i përshkruan këta burra si “turistë lufte radikalë të ekstremit të djathtë”, të cilët dyshohet se nga qyteti verilindor italian i Triestes të premteve në mbrëmje, kalonin fundjavën në Sarajevë përkrah forcave serbe dhe ktheheshin në Itali më pas.
Prokurori Alessandro Gobbis ka hapur çështjen mbi akuzat e vrasjes së kryer me mizori dhe me keqdashje. Hetimi aktualisht synon të dyshuar të paidentifikuar.
Agjencia italiane ANSA raportoi se ankesa që nxiti hetimin u paraqit nga gazetari dhe autori Ezio Gavazzeni. Ai citoi informacione nga një shkëmbim emailesh në nëntor 2024 me një zyrtar të Shërbimit të Sigurisë Ushtarake të Bosnjës, i cili kishte marrë në pyetje një vullnetar serb të kapur.
Gavazzeni tha se të paktën pesë italianë nga Milano, Torino dhe Trieste dyshohen të kenë marrë pjesë dhe se njëri prej tyre dyshohet si një pronar klinike estetike. Pretendimet fokusohen në ngjarjet gjatë rrethimit trevjeçar e gjysmë të Sarajevës, në të cilin forcat serbe rrethuan dhe bombarduan kryeqytetin boshnjak që nga prilli i vitit 1992.
Ndërkohë, kongresistja amerikane, Anna Paulina Luna u zotua se do të hetojë akuzat për “turistët snajperë” dhe se do të provojë të zbulojë nëse ka marrë pjesë ndonjë amerikan në këtë ngjarje morbide. “Pagesa e parave për të qëlluar civilë dhe akoma më keq për të qëlluar fëmijë është një nivel i së keqes që vendi ynë nuk mund dhe nuk do ta tolerojë”, shtoi Luna, një ish-anëtare e Forcave Ajrore Amerikane.
Mbi 11.500 civilë u vranë, përfshirë 1.601 fëmijë ndërsa trashëgimia kulturore e Sarajevës dhe infrastruktura pësuan dëme të mëdha. Në vitin 2021 imazhe të reja dolën në dritë dhe treguan snajperë serbë që synonin civilët në Sarajevë gjatë luftës së viteve 1992–1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke risjellë kujtime të dhimbshme për boshnjakët. /SHENJA/

