Pushteti gjyqësor akuzoi Mickoskin për ndërhyrje dhe sulm: Pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i pavarësisë financiare

Pushteti gjyqësor akuzoi Mickoskin për ndërhyrje dhe sulm: Pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i pavarësisë financiare

Pushteti gjyqësor, përkatësisht Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjyqtarëve kanë lëshuar një deklaratë duke iu drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, përmes së cilës e akuzojnë atë për sulme të paarsyeshme dhe të përgjithshme.

“Zotri kryeministër, për një kohë të gjatë komentet tuaja për gjyqtarët dhe gjyqësorin kanë kaluar kufijtë e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të paarsyeshme dhe të përgjithshme. Kritika është me qëllim të mirë vetëm kur bëhen vërejtje specifike dhe propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Kritika e paarsyeshme është një demonstrim i qëllimit për të mos ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar situatën, por për të zhvendosur apatinë e përgjithshme shoqërore te gjyqtarët si fajtorë”, thuhet në deklaratë.

Sipas gjyqësorit, raporti i fundit i Komisionit Evropian thekson qartë se problemi më i madh në gjyqësor është pavarësia e gjyqtarëve, e cila minohet nga ndërhyrjet e vazhdueshme të degëve ekzekutive dhe legjislative.

“Varësia financiare e gjyqësorit nga buxheti i shtetit është theksuar gjithashtu si një problem thelbësor, dhe në këtë kuptim, pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i pavarësisë financiare”, deklarojnë gjyqtarët.

Gjyqësori e ka akuzuar Mickoskin për shkelje të parimit demokratik të barazisë së tre degëve të qeverisjes, gjyqësorit, legjislativit dhe ekzekutivit.

Gjyqtarët thonë se sistemi gjyqësor nuk ka gjeneruar kurrë borxhe, por përkundrazi, përmes mbledhjes së shumave të mëdha dhe gjobave, mbush thesarin e shtetit, dhe në këmbim nuk merr punësime të reja, digjitalizim të shërbimeve, pajisje të sallave të gjyqit, etj.

Mickoski theksoi dje se publiku duhet ta dijë se reformat në gjashtë ligjet në fushën e gjyqësorit janë për paga më të larta, dhe jo për ndryshime thelbësore.

“E di që do të më sulmojnë tani, por morali nuk më lejon të pajtohem me rritjen e pagave të njerëzve që nuk kanë vlerësim. Nëse kjo është reforma kyçe, më falni, nuk do ta bëj. Ne nuk mund të ndajmë më shumë para se vendet më të zhvilluara në Evropë për të financuar gjykatat. Ne nuk mund ta bëjmë këtë”, tha Mickoski.

MARKETING