Spanja dënon rritjen “e paprecedentë” të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor

Spanja dënon rritjen “e paprecedentë” të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor

Spanja ka dënuar përshkallëzimin e paprecedentë të dhunës nga kolonët izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke paralajmëruar se sulmet po rrezikojnë civilët palestinezë dhe po minojnë perspektivat për paqe, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, qeveria spanjolle, e cila njohu shtetin palestinez në maj të vitit 2024, tha të enjten se veprimet e vazhdueshme të kolonëve të dhunshëm po kërcënojnë sigurinë dhe integritetin e palestinezëve duke synuar shtëpitë, pronat dhe burimet e jetesës, përfshirë ullishtat dhe infrastrukturën e bizneseve.

Madridi shprehu gjithashtu shqetësim të veçantë mbi sulmet ndaj vendeve fetare, duke veçuar një sulmin me zjarrvënie në një xhami në fshatin Deir Istiya të mërkurën. Deklarata refuzoi zgjerimin e vazhdueshëm të vendbanimeve kolone izraelite, duke dënuar lëvizjen e fundit të njëanshme të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes për të përcaktuar kufijtë e 13 vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor.

Spanja tha se ky hap përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, duke përsëritur kundërshtimin e saj të kahershëm ndaj aktiviteteve të ndërtimit të vendbanimeve kolone, të cilat BE-ja i konsideron të paligjshme dhe pengesë për paqen.

Madridi i bëri thirrje Tel Avivit t’i japë fund në mënyrë vendimtare dhunës dhe pandëshkueshmërisë dhe të mbajë përgjegjës ata që kryejnë sulme kundër palestinezëve dhe pronave të tyre. “Këto veprime të dhunshme rrezikojnë përpjekjet për të arritur paqen, bazuar në planin e paqes të SHBA-së dhe Deklaratën e Nju Jorkut”, tha qeveria, duke shtuar se ato rrezikojnë jetësimin e një shteti të ardhshëm palestinez dhe minojnë zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.

Kolonët izraelitë dogjën dhe vandalizuan një xhami në një fshat palestinez në qendër të Bregut Perëndimor të mërkurën gjatë natës, sipas autoriteteve lokale dhe raportimeve mediatike. Sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm janë përshkallëzuar në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Sipas shifrave palestineze, më shumë se një mijë palestinezë janë vrarë dhe 10 mijë të tjerë janë plagosur.

OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar qindra sulme të kolonëve ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre gjatë viteve 2024–2025, përfshirë zjarrvënie, vandalizëm dhe sulme fizike. Këto sulme shpesh ndodhin në prani të forcave izraelite, të cilat rrallë ndërhyjnë.

Në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha një opinion këshillimor historik, duke shpallur të paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare pushtimin shumëvjeçar të Izraelit në Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Gaza. Gjykata kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone izraelite dhe t’u jepet fund politikave që ndryshojnë përbërjen demografike të këtyre territoreve.

MARKETING