Afrika e Jugut u dha leje për hyrje mbi 150 refugjatëve palestinezë
Autoritetet e Afrikës së Jugut u kanë dhënë leje hyrjeje 153 refugjatëve palestinezë që mbërritën të enjten me një fluturim çarter nga Kenia për të kërkuar azil në vend, por më parë u ishte refuzuar pranimi pasi dështuan në testet e emigracionit, transmeton Anadolu.
Autoriteti i Menaxhimit Kufitar (BMA) në një deklaratë tha se gjatë procesit të tyre standard të intervistës për emigracionin, palestinezët nuk treguan kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në vend ose adresat e tyre të synuara të akomodimit.
“Pasagjerët gjithashtu nuk kishin vulat e zakonshme të nisjes në pasaportat e tyre”, tha Komisioneri i BMA-së, Michael Masiapato.
Refugjatët palestinezë pritën për më shumë se 10 orë në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar OR Tambo afër Johannesburgut për t’u lejuar ose për t’u kthyer mbrapsht. Lajmi shkaktoi zemërim midis aktivistëve në vend të njohur si mbështetës të fortë të të drejtave palestineze.
Afrika e Jugut ngriti një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë më 29 dhjetor 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori 2023, për dështim në përmbushjen e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
“Deri në kohën e pranimit, 23 nga 153 (palestinezët) ishin transferuar tashmë (kaluar tranzit) nga Afrika e Jugut në destinacionet e tyre përfundimtare,” tha BMA, duke shtuar se 130 të tjerët mbetën në vend nën kujdesin e Gift of the Givers Foundation.
Imtiaz Sooliman, themelues dhe kryetar i Gift of the Givers Foundation, tha se Izraeli nuk u dha palestinezëve vula daljeje në pasaportat e tyre kur ata u larguan.
“Izraeli qëllimisht nuk i vulosi pasaportat e këtyre njerëzve të varfër (me qëllim) që të përkeqësonte vuajtjet e tyre në një vend të huaj”, tha ai.
“Jam mirënjohëse që jam këtu. Mendova se nuk do të na lejonin të hynim. Tani mund të shkoj në Kajro dhe t’i bashkohem familjes sime atje”, u tha gazetarëve një studente e re palestineze.
Ishte avioni i dytë që transportonte palestinezët që iknin nga gjenocidi në Gaza në Afrikën e Jugut.
Avioni i parë u ul në fund të muajit të kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar OR Tambo me 176 palestinezë.

