Osmani: Kosova ka demorakacinë më të fortë elektorale në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet lokale që po mbahen në 18 komuna të vendit, me ç’rast ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Ajo theksoi se sot qytetarët vendosin për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Sipas saj, kjo ditë është po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve, pasi sot përcaktohet përfundimisht se kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme.
“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani para mediave pasi votoi.
E pyetur për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, Osmani u shpreh se këto janë procese të ndara.
“Këto janë procese të ndara, natyrisht që zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilin po kalojmë”, theksoi ajo.

