Katër futbollistë të Shkëndijës me përfaqësueset kombëtare
Periudha e nëntorit sjell lajme të mira për Shkëndijën, pasi katër futbollistë të skuadrës kuqezi janë ftuar nga ekipet kombëtare për ndeshjet ndërkombëtare që do të zhvillohen gjatë pushimit të kampionateve.
Klisman Cake, pas debutimit të tij të suksesshëm muajin e kaluar me Kombëtaren e Shqipërisë, është ftuar sërish nga përzgjedhësi Silvinho për dy ndeshjet e nëntorit – më 13 nëntor ndaj Andorrës dhe 16 nëntor ndaj Anglisë. Kjo është hera e dytë që mbrojtësi i Shkëndijës vesh fanellën kuqezi në nivel ndërkombëtar.
Ndërkohë, Reshat Ramadani ka marrë ftesë nga seleksionuesi Blagoja Milevski për ndeshjet që Maqedonia e Veriut do të zhvillojë ndaj Letonisë (13 nëntor, Shkup) dhe Uellsit (18 nëntor, Cardiff).
Në përfaqësuesen U21 të Maqedonisë sërish është ftuar Anes Meliqi, i cili do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjet kualifikuese ndaj Suedisë dhe Polonisë për Kampionatin Evropian 2027.
Pjesë e listës së U19 të Maqedonisë është edhe Nazif Ceka, që do të marrë pjesë në UEFA U19 Kualifikimet që zhvillohen në Portugali nga 12 deri më 18 nëntor. Përzgjedhës i kësaj gjenerate është Erhan Selimi, aktualisht edhe drejtor i shkollës së futbollit të Shkëndijës.
Këto ftesa janë një tjetër dëshmi e punës së mirë që po bëhet në klubin kuqezi, i cili vazhdon të jetë një ndër kontribuesit kryesorë të futbollistëve në përfaqësueset kombëtare. /SHENJA/

