BE-ja: Qyteti El-Fasher në Sudan është bërë varrezë e njerëzimit

BE-ja: Qyteti El-Fasher në Sudan është bërë varrezë e njerëzimit

Bashkimi Evropian paralajmëroi sot se qyteti i rrethuar El-Fasher në Sudan nuk është më i arritshëm për punonjësit humanitarë, duke thënë se ai “është bërë varrezë e njerëzimit”, transmeton Anadolu.

Duke folur në konferencën e Komisionit Evropian, zëdhënësja Eva Hërncirova e përshkroi Sudanin si “një nga krizat më të këqija humanitare në botë”, duke theksuar se civilët mbeten të bllokuar nën rrethim ndërsa spitalet bombardohen, rrugët e ndihmës bllokohen dhe njerëzit qëllohen.

“El-Fasheri nuk është i arritshëm për punonjësit humanitarë. Madje, mund të them se El-Fasheri është bërë varrezë e njerëzimit”, tha ajo.

Hërncirova dënoi mizoritë në Sudan “në termat më të qarta të mundshme”, duke nënvizuar se uria dhe vrasjet masive “nuk mund të përdoren si armë lufte”, pasi duke vepruar kështu shkelet ligji ndërkombëtar humanitar.

Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të kthehen në negociata dhe “të arrijnë urgjentisht një armëpushim të përhershëm”, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të mbështesë si bisedimet ashtu edhe zbatimin e çdo marrëveshjeje të arritur.

Zëdhënësja bëri thirrje për “qasje të menjëhershme, të sigurt dhe të papenguar humanitare” në të gjitha zonat e prekura nga konflikti.

Më 26 tetor, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pushtuan qytetin El-Fasher, kryeqytetin e shtetit të Darfurit të Veriut, dhe kryen masakra kundër civilëve, sipas organizatave lokale dhe ndërkombëtare, mes paralajmërimeve se sulmi mund të thellonte ndarjen gjeografike të Sudanit.

Që nga 15 prilli 2023, ushtria sudaneze dhe RSF janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

MARKETING