Presidenti sirian kërkon investime në rimëkëmbjen e gjelbër në Samitin e klimës
Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa ka bërë thirrje për investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban në Siri, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për rindërtim në përputhje me objektivat globale të klimës, transmeton Anadolu.
Duke folur në Samitin e liderëve të Konferencës së OKB-së për Klimën (COP30) në Belem të Brazilit, Al-Sharaa tha se Siria është përballur me “sfida komplekse mjedisore në vitet e fundit, efektet e të cilave janë grumbulluar si tek njerëzit ashtu edhe tek burimet”, të përkeqësuara nga konflikti dhe zhvendosja në shkallë të gjerë që vunë “presion shtesë mbi burimet tashmë të kufizuara”.
Ai theksoi se Siria pësoi thatësirën e saj më të keqe në më shumë se gjashtë dekada këtë vit, duke e përshkruar atë si provë të kulmit të ndikimeve të ndryshimeve klimatike në vend. “Vizioni ynë ambicioz pasqyrohet në planet tona të rindërtimit dhe rimëkëmbjes, të cilat ne kemi filluar t’i zbatojmë dhe t’i përkthejmë në politika, programe dhe projekte praktike”, tha presidenti.
“Kjo është arsyeja pse ju ftojmë të investoni në Siri, në sektorë të tillë si energjia e rinovueshme, qytetet e gjelbra të qëndrueshme dhe projektet pioniere të investimeve që mbrohen, mbështeten dhe garantohen nga shteti”, shtoi presidenti sirian.
Al-Sharaa riafirmoi angazhimin e plotë të Sirisë ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, kryesisht midis tyre Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, duke u zotuar se do të paraqesë kontributet e përditësuara të vendit të tij në përputhje me standardet globale. “Ne nuk kërkojmë të ringjallim qytetet tona thjesht duke i rindërtuar ato, por duke rivendosur lidhjen tonë me tokën dhe duke krijuar sisteme të integruara”, tha ai.
Duke cituar ajetin kuranor “Ne krijuam nga uji çdo gjë të gjallë”, presidenti sirian theksoi se kujdesi mjedisor duhet të udhëheqë përpjekjet e rindërtimit. “Marrëdhënia e njerëzimit me natyrën është morale, sa më shumë ta respektoni dhe ta mbroni atë, aq më shumë ju jep nga begatitë e saj”, shtoi ai.
Presidenti sirian kujtoi mësimet e Profetit Muhamed mbi ruajtjen e natyrës, duke theksuar se Profeti “ndaloi prerjen e pemëve, madje edhe në kohë lufte”. “Kurseni ujin, edhe nëse jeni në brigjet e një lumi që rrjedh. Rindërtimi i tokës është detyrë për njerëzimin”, tha ai duke shtuar se ajo duhet të bëhet pa shkelur natyrën.
Më tej, ai tha se ajri, uji dhe pemët janë “burime të përbashkëta për të gjithë njerëzimin”, duke theksuar se ruajtja e tyre është përgjegjësi kolektive për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt.
Al-Sharaa bëri lidhje simbolike midis lumenjve të Amazonës dhe Sirisë, duke bërë thirrje për “zgjerimin e lidhjeve të bashkëpunimit nga Amazona në lumenjtë Barada dhe Eufrat” për të forcuar solidaritetin midis kombeve dhe për të promovuar rolin e vendeve në zhvillim.
Dje, presidenti sirian u takua me disa pjesëmarrës të Samitit të OKB-së për klimën, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe zv/spresidentin turk, Cevdet Yilmaz. Ai gjithashtu u takua me zv/kryeministrin italian dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Tajani dhe presidentin e Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga.
Al-Sharaa është presidenti i parë sirian që merr pjesë në një konferencë të OKB-së për klimën që nga fillimi i nismës në vitin 1995. Pas samitit, presidenti sirian pritet të udhëtojë për në Washington për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump.
Samiti COP30 mbledh rreth 50 mijë pjesëmarrës, përfshirë udhëheqës botërorë, shkencëtarë dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare, për të diskutuar përpjekjet globale për të zgjidhur krizën klimatike.

