Sarkozy refuzon të konsumojë ushqimet e burgut, i frikësohet helmimit
Plani i dietës që ndjek ish-presidenti i Republikës Franceze ndërsa është i burgosur në burgun Sante në Paris ka shkaktuar shqetësim në rrethin e ngushtë të Nicolas Sarkozy-t. I mbetur pas hekurave që nga 21 tetori, Sarkozy ka vendosur – sipas medias franceze Le Point – të ndjekë vetë një regjim të veçantë dietik.
Duke kuptuar ndjenjat armiqësore që shumë nga të burgosurit e tjerë kanë ndaj tij, ai refuzon të prekë asnjë pjatë që i serviret në qelinë e tij. Sipas burimeve të cituara nga media, Sarkozy ka frikë se dikush i ka pështyrë ushqimin, nëse jo diçka më të keqe (madje edhe helmim).
Ajo që e bën problemin edhe më të madh është se ish-presidenti e ka “djegur” alternativën tjetër ndaj ushqyerjes së tij në burg, përkatësisht sigurimin e lëndëve të para nga mensa dhe përgatitjen e ushqimit vetë: “Ai as nuk di të ziejë vezë!” , zbulon një person nga rrethi i tij i ngushtë. “Dhe, që nga fillimi, e refuzon”.
Kështu, që nga dita e arrestimit të tij 2.5 javë më parë, Nicolas Sarkozy ka ngrënë ekskluzivisht kos. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse ky agjërim i veçantë që po mban ish-presidenti do të “ndikojë” te gjyqtari, i cili më 10 nëntor do të thirret të vendosë për lirimin e tij.
Kujtohet se Sarkozy po vuan një dënim me pesë vjet burg për financimin e supozuar të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga Libia. Dy oficerë policie të armatosur janë thirrur për ta mbrojtur atë brenda burgut në mënyrë 24-orëshe. Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez tha se ky vendim u mor për shkak të një kërcënimi për jetën e Sarkozy-t, natyrën e të cilit nuk e specifikoi.

