Belgjika do të aktivizojë Qendrën Kombëtare të Sigurisë Ajrore për shkak të shkeljeve të dronëve
Belgjika do ta bëjë plotësisht funksional Qendrën Kombëtare të Sigurisë Ajrore (NASC) duke filluar nga 1 janari 2026, ndërsa autoritetet po reagojnë ndaj një numri gjithnjë në rritje të shkeljeve ajrore nga dronë mbi aeroporte dhe instalime ushtarake, tha sot ministri i Mbrojtjes Theo Francken pas një takimi të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, transmeton Anadolu.
Takimi i këshillit u zhvillua në Bruksel pas fluturimeve të dronëve më herët këtë javë, të cilët përkohësisht e mbyllën Aeroportin e Brukselit, raportoi e përditshmja “La Libre”.
“Rreziku është serioz. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Francken pas takimit.
NASC-ja, e vendosur në bazën ajrore Beauvechain, tashmë ekziston si një projekt që integron disa shërbime, përfshirë mbrojtjen, doganat dhe autoritetin e aviacionit.
Francken tha se prioriteti për javët në vijim është ta bëjnë qendrën “plotësisht funksionale”, duke siguruar që të gjitha agjencitë përkatëse të kenë pamje të plotë dhe të përbashkët të hapësirës ajrore belge.
Ministri shtoi gjithashtu se Belgjika po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë dhe së fundmi e ka diskutuar çështjen me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Qeveria federale pritet të miratojë blerjen e sistemeve kundër dronëve në vlerë prej 50 milionë eurosh në mbledhjen e kabinetit të premten.
Ndërkohë, udhëzimet janë të qarta, tha ministri. “Kur të jetë e mundur, dronët armiqësorë duhet të rrëzohen”, shtoi ai.
Ministri i Brendshëm Bernard Quintin bëri thirrje për “qetësi dhe seriozitet”, duke theksuar se mbyllja e aeroportit të martën tregoi efektivitetin e veprimit të koordinuar.
Ai tha se një ndalim i përgjithshëm i dronëve është i pamundur, pasi ato janë thelbësore për shërbimet emergjente. Megjithatë, ai paralajmëroi se fluturimi me dron mbi një aeroport mund të sjellë dënim me burg prej 10 deri në 20 vjet.
“Sot po bëjmë një angazhim të qartë dhe kolektiv: çdo shërbim përkatës do të marrë masat e nevojshme për t’u përgjigjur më mirë ndaj dronëve që mund të kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, tha Quintin.

