(VIDEO) “Së bashku për Palestinën” takojnë presidenten
Përfaqësuese nga nisma “Së bashku për Palestinën” zhvilluan një takim me Presidenten Gordana Siljanovska Davkova. Gjatë takimit, ato ia përcollën drejtpërdrejt kërkesat e nismës dhe i bënë thirrje udhëheqjes shtetërore të tregojë solidaritet të qartë me popullin palestinez. Gjatë bisedës, ato iu referuan deklaratave të Presidentes me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, kur ajo kishte theksuar se paqja, drejtësia klimatike dhe e drejta ndërkombëtare janë sfidat më të mëdha të botës bashkëkohore.
NISMA “SË BASHKU PËR PALESTINËN”
“Në këtë kontekst, përfaqësueset i vunë në dukje Presidentes se mungon veprimi konkret dhe respektimi i angazhimeve ndërkombëtare të Maqedonisë në këto parime, ndërsa heshtja e përfaqësuesve tanë në kuadër të OKB-së dhe organizatave të tjera shumëpalëshe përbën bashkëpërgjegjësi në gjenocidin që po kryhet ndaj popullit palestinez”.
Aktivistet i dhuruan presidentes një paketë librash për paqen, humanizmin dhe Palestinën.
Kërkesat e nismës “Së bashku për Palestinën” drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentes janë: Të dënojë gjenocidin në Gaza dhe të veprojë në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit; Të votojë në solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme në OKB; Të njohë sërish shtetin e Palestinës; Të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet diplomatike, si dhe bashkëpunimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe sportiv me Izraelin; Të përfshihet në dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza; Të arrestojë ata që ndiqen për krime lufte sapo të hyjnë në territorin maqedonas, duke përmbushur kështu detyrimet e saj si anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Nisma “Së bashku për Palestinën” çdo të shtunë organizon marshe paqeje. /SHENJA/

