Kremlini provokon Romën: Italia do shembet e gjitha nëse vazhdon mbështetjen për Ukrainën
						Italia do të “shembet plotësisht” nëse vazhdon të shpenzojë para për të mbështetur Ukrainën, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një tjetër provokim kundër Italisë, e akuzuar për mbështetjen e përpjekjeve të Kievit për të sprapsur pushtimin e Ukrainës nga Moska.
Zakharova kujtoi se, sipas Ministrisë së Jashtme italiane, Italia ka ndarë 2.5 miliardë euro në ndihmë dhe kontribute ushtarake për Kievin.
“Për sa kohë që qeveria italiane vazhdon të shpërdorojë paratë e taksapaguesve, Italia do të shembet, nga ekonomia e saj deri te kullat e saj”, shkroi zëdhënësja e Kremlinit.
Zakharova nuk është e panjohur me provokimet e këtij lloji pasi kohët e fundit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme u shpreh me tone të ngjashme kundër Francës, pas vjedhjes në Luvër.
Në muajt e fundit, Zakharova kishte sulmuar dhunshëm presidentin Italian Sergio Mattarella, duke i quajtur vërejtjet e kreut të shtetit gjatë një fjalimi në Universitetin e Marsejës “shpikje blasfemuese”.
“Italia ishte vendlindja e fashizmit”, tha Zakharova, duke shtuar se Mattarella është “presidenti i një vendi që historikisht ka qenë midis atyre që sulmuan vendin tonë”.
Gjatë fjalimit të tij, kreu i shtetit italian tha:
“Fenomeni autoritar u përhap në disa vende, të tërhequr nga miti se regjimet despotike dhe joliberale ishin më efektive në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Rezultati ishte një klimë e shtuar konflikti pavarësisht ndërgjegjësimit për nevojën për të adresuar dhe zgjidhur problemet në një shkallë më të gjerë. Por, në vend të bashkëpunimit, mbizotëroi kriteri i dominimit. Dhe këto ishin luftëra pushtimi. Ky ishte plani i Rajhut të Tretë në Evropë. Agresioni i sotëm rus kundër Ukrainës është i kësaj natyre”.

