Mbi 150 mijë persona evakuohen në Filipine, ndërsa tajfuni i fuqishëm Kalmaegi i afrohet brigjeve
						Më shumë se 150 mijë persona janë evakuuar nga provincat bregdetare të Filipineve të hënën, ndërsa tajfuni i fuqishëm Kalmaegi po i afrohet rajonit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Sipas agjencisë meteorologjike të vendit, tajfuni po avancon drejt arkipelagut Visayas me erëra të qëndrueshme deri në 140 km/orë dhe shpërthime që arrijnë 170 km/orë. Filipinet po përballen sërish me mot ekstrem, pas stuhive të fundit të mëdha dhe tërmeteve vdekjeprurëse.
Zëvendësdrejtori i Zyrës së Mbrojtjes Civile, Rafaelito Alejandro, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 20:00, sipas orës lokale, “rreth 156 mijë persona” ishin evakuuar si masë paraprake, ndërsa tajfuni pritet të godasë pas mesnatës.
Më herët, zyrtari i menaxhimit të fatkeqësive Roel Montesa deklaroi se evakuimet po zhvillohen në Palo dhe Tanauan, dy zona me rreth 140 mijë banorë që u goditën rëndë në vitin 2013 nga supertajfuni Haiyan, ku humbën jetën mbi 6 mijë persona.
Në ishullin fqinj Samar, mijëra banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga e diela, për shkak të frikës nga valë deri në 3 metra, njoftoi zyrtari i mbrojtjes civile Randy Nikart. Ndërkohë, në provincën e Ishujve Dinagat, rreth 10 deri në 15 mijë persona janë evakuuar në vende të sigurta, sipas guvernatorit Nilo Demerey.
“Tani për tani ka shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Ne jemi ulur në shkallë dhe po lutemi, duke u përpjekur të vlerësojmë forcën e tajfunit,” tha për AFP Miriam Vargas, një 34-vjeçare me dy fëmijë nga Dinagat.
“Era po fryn fort dhe dëgjojmë zhurmën e objekteve që bien. Energjia është ndërprerë prej më shumë se një ore dhe nuk mund të shohim asgjë,” shtoi ajo.

