Izraeli planifikon të miratojë ndërtimin e gati 2.000 njësive të reja të banimit në Bregun Perëndimor të pushtuar
 
						Ministri izraelit i Financave nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, deklaroi të enjten se Këshilli i Lartë i Planifikimit do të miratojë ndërtimin e 1.973 njësive të reja të vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë sesionit të tij të ardhshëm, transmeton Anadolu.
Megjithatë, ai nuk specifikoi se kur do të mblidhet këshilli, raportoi Kanali 12 izraelit.
Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi Izraeli miratoi ndërtimin e 1.300 shtëpive të kolonëve në vendbanimin Gush Etzion, në jug të Kudsit Lindor të pushtuar.
Smotrich tha se autoritetet izraelite kanë miratuar gati 30.000 njësi të reja vendbanimesh kolone në Bregun Perëndimor këtë vit, duke e cilësuar këtë si një “arritje të paprecedentë” për qeverinë e tij.
Nga ana e saj, grupi palestinez Hamas e dënoi këtë hap izraelit si “përshkallëzim të rrezikshëm të politikës së judaizimit dhe zgjerimit kolonial që synon tokën palestineze thellë brenda Bregut Perëndimor”.
“Këto plane të vendbanimeve kolone përbëjnë një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara që kriminalizojnë ndërtimin e vendbanimeve kolone”, shtoi grupi në një deklaratë.
Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, që nga marrja e detyrës nga qeveria e Benjamin Netanyahut në fund të vitit 2022, Izraeli ka avancuar planet për rreth 48.000 njësi vendbanimesh kolone në Bregun Perëndimor, me një mesatare prej afërsisht 17.000 njësish në vit.
Më 20 gusht, qeveria dha miratimin përfundimtar për planin e vendbanimit kolon “E1”, i cili parashikon ndërtimin e rreth 3.400 njësive të banimit pranë vendbanimit Ma’ale Adumim.
Grupi izraelit i të drejtave “Peace Now” e ka përshkruar planin E1 si një “goditje fatale” ndaj zgjidhjes me dy shtete, pasi ai do të ndante veriun dhe jugun e Bregut Perëndimor dhe do të izolonte Kudsin Lindor.
OKB-ja ka përsëritur shpesh se vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se ato minojnë perspektivat për zgjidhjen me dy shtete.
Palestinezët këmbëngulin në Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, bazuar në rezolutat ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin e vitit 1967 nga Izraeli apo aneksimin e qytetit në vitin 1980.


 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	