(VIDEO) Sela: Tentim qyqar – nuk na frikëson, VLEN përgënjeshtron lidhshmërinë me çfarëdo tensioni

(VIDEO) Sela: Tentim qyqar – nuk na frikëson, VLEN përgënjeshtron lidhshmërinë me çfarëdo tensioni

Afrimi i datës së zgjedhjeve rrit tensionet mes kandidatëve që do të përballen të dielen në balotazh për Komunën e Strugës. Këtë herë shkak i përplasjeve ka qenë ndalja e veturës së kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela nga ana e njësitit special të policisë. Pas kësaj ngjarje, Sela ka reaguar menjëherë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar ndalimin si një “tentim qyqar dhe të kotë”. Ai tha se veprime të tilla nuk do ta frikësojnë as atë dhe as qytetarët shqiptarë të cilët janë reshtuar krah kandidatit Arsim Dalipi.

ZIADIN SELA – KRYETAR I ASH-SË

“Vazhdojmë përpara, të palëkundshëm dhe stoikë në misionin tonë. Keqardhje për ata që shpresojnë se me metoda të tilla mund të kthejnë diçka. Tentime të kota e qyqare që vetëm kanë shqetësuar dashamirët. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve për solidarizimin dhe mbështetjen. Faleminderit të gjithë miqve për interesimin, shqetësimin dhe solidarizimin. Krekosja e këtij pushteti me njësi speciale, me maska e pa maska, nuk mund të na frikësojë as neve, as struganët, e as shqiptarët kudo që janë.”

Për rastin Sela, ka reaguar edhe koalicioni VLEN, nga ku thonë se tentimet për të krijuar situatë në Strugë, ku realisht nuk ka dhe as mund të ketë, janë dëshpëruese dhe asociojnë me koalicionin që me meritë mban emrin treshja në agoni  Ahmeti, Taravari dhe Sela.

Nga koalicioni shqiptarë që është pjesë e Qeverisë thonë se çdo përpjekje për ta lidhur koalicionin VLEN apo kandidatin që përkrahim, Mendi Qyrën, me çfarëdo tensioni të stisur, është e pavërtetë,

Pyesin se pse do duhej të krijonte tensione koalicioni apo kandidati që është favorit për të fituar zgjedhjet e 2 nëntorit?

TABELË – VLEN

Logjika politike është e thjeshtë, ai që është në dëshpërim, tenton të krijojë situata të paqena për të paraqitur veten si viktimë në sytë e elektoratit një strategji që i shkon në favor kandidatit të Zijadin Selës dhe LEVICËS, Arsim Dalipit. I tërë opinioni publik e di se bashkëpunimi mes AKI-së dhe LEVICËS është evident, si në Tetovë, ashtu edhe në Strugë.

Ky është rasti i parë i raportuar që nga fillimi i fushatës zgjedhore, ku njësiti special ndalon veturën e një politikani. Tensionet në Strugë mbeten të larta, pasi pritet që kryetari i ri i kësaj komune të rëndësishme shqiptare të zgjidhet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 2 nëntor. Në garë për Strugën janë Arsim Dalipi, kandidat i ASH-së i mbështetur nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Mendi Qyra, kandidat i pavarur i mbështetur nga VLEN.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING