Shefi i OKB-së është “thellësisht i shqetësuar” për përshkallëzimin ushtarak në El-Fasher të Sudanit

Shefi i OKB-së është “thellësisht i shqetësuar” për përshkallëzimin ushtarak në El-Fasher të Sudanit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është “thellësisht i shqetësuar” nga përshkallëzimi i fundit ushtarak në qytetin e rrethuar të Sudanit, El-Fasher dhe dënon “sulmet pa dallim dhe shënjestrimin e civilëve”, tha zëdhënësi i tij të hënën, transmeton Anadolu.

“Sekretari i Përgjithshëm dënon fuqimisht raportet për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në El-Fasher, duke përfshirë sulmet pa dallim dhe shënjestrimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, si dhe dhunën me bazë gjinore, sulmet dhe keqtrajtimin me motive etnike”, tha Stephane Dujarric në një deklaratë.

Guterres u kërkoi Forcave të Armatosura Sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të “angazhohen menjëherë” me të Dërguarin e tij Personal për Sudanin, Ramtane Lamamra, dhe të ndërmarrin “hapa të shpejtë dhe të prekshëm drejt një zgjidhjeje të negociuar”.

“Për më shumë se tetëmbëdhjetë muaj, El-Fasher dhe zonat përreth në Darfurin e Veriut kanë qenë një epiqendër vuajtjesh – me qindra mijëra civilë të bllokuar nga një rrethim gjithnjë e më i ashpër nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë”, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se “Kequshqyerja, sëmundjet dhe dhuna po marrin jetë çdo ditë”.

Guterres përsëriti thirrjen e tij për një përfundim të menjëhershëm të rrethimit, duke kërkuar shpërndarje të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare për të gjithë civilët në nevojë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu gjithashtu alarm për rrjedhën e vazhdueshme të armëve dhe luftëtarëve në Sudan.

El-Fasher, kryeqyteti i rajonit të Darfurit të Veriut, ka qenë skenë e luftimeve të ashpra për javë të tëra midis ushtrisë dhe RSF-së pas një sulmi shumëfrontal nga grupi paramilitar, i cili ka rrethuar qytetin nga pesë drejtime në një përpjekje për të marrë kontrollin e tij për shkak të rëndësisë së tij strategjike.

RSF ka rrethuar qytetin El-Fasher që nga 10 maji 2024.

Luftimet midis ushtrisë dhe RSF-së kanë vazhduar që nga prilli 2023, të cilat kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë zhvendosur miliona të tjerë.

MARKETING