(VIDEO) 11 muaj burg për prindin që kishte sulmuar dy futbollistë të mitur
Me 11 muaj burg është dënuar prindi 43 vjeçar i cili kishte sulmuar 2 futbollistë të mitur në ndeshjen midis ekipeve futbollistike të fëmijëve “Shkupi” dhe “Bregallnica” e cila u zhvillua më 24 gusht në stadiumin “Bello Brdo” në Shtip, kanë njoftuar nga gjykata themelore e Shtipit. Zëdhënësi i kësaj gjykate Sashko Georgiev tha se vendimi nuk është i plotëfuqishëm dhe se do të pasojë periudha e ankesave në Gjykatën e Apelit të Shtipit.
SASHKO GEORGIEV, ZËDHËNËS I GJYKATËS THEMELORE TË SHTIPIT
“Këshilli i Gjykatës Penale, kryetare e të cilit është gjykatësja Nevena Perica, ka dhënë vendim për të akuzuarin Avni Avduli nga Shkupi për kryerjen e një vepre penale të dhunës sipas nenit 386 paragrafi 4 i Kodit Penal. Ai është dënuar me 11 muaj burg dhe vendimi nuk është i formës së prerë, pason afati i ankesës në Gjykatën e Apelit në Shtip”.
Incidenti për të cilin Prokuroria Themelore Publike në Shtip kishte ngritur kallëzim penal kundër prindit, ndodhi më 24 gusht në minutën e 89-të të ndeshjes kur gjyqtari dha kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të gabuar, duke përjashtuar djalin e të akuzuarit, i cili luante për klubin futbollistik Shkupi.
Nga prokuroria aso kohe patën thënë se i pakënaqur me vendimin, djali fillimisht u soll në mënyrë josportive dhe u përpoq të përleshej me një nga lojtarët e Bregallnicës me grushte dhe shqelma. Pastaj siç kishin thënë nga prokuroria gjatë përleshjes mes fëmijëve babai hyri në fushë dhe filloi t’i godiste dy fëmijët me grushte dhe shqelma, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

