Ministri izraelit: Turqia nën udhëheqjen e Erdoganit zbatoi sanksione diplomatike dhe ekonomike ndaj Izraelit

Ministri izraelit: Turqia nën udhëheqjen e Erdoganit zbatoi sanksione diplomatike dhe ekonomike ndaj Izraelit

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar deklaroi se Turqia nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka demonstruar qasjen e saj ndaj Izraelit jo vetëm përmes deklaratave, por edhe përmes sanksioneve diplomatike dhe ekonomike kundër Izraelit, transmeton Anadolu.

Në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, ku ndodhet për bisedime zyrtare, ministri i Jashtëm izraelit Saar mbajti konferencë të përbashkët për media me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Peter Szijjarto.

Përkundër vendimit të paraqitur në opinionin këshillues në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e Izraelit kundër agjencive të OKB-së, që qeveria e Tel Avivit të mbështesë agjencitë e OKB-së në Gaza, Saar tha se ata “absolutisht nuk do të punojnë” me Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe nuk do të pranojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme të Turqisë në forcën ushtarake ndërkombëtare që do të vendoset në Gaza, Saar tha se “Turqia, nën udhëheqjen e (Presidentit Recep Tayyip) Erdogan, ka demonstruar qasjen e saj ndaj Izraelit jo vetëm me deklarata negative, por në të njëjtën kohë edhe me sanksione diplomatike dhe ekonomike kundër Izraelit”.

Saar mbrojti idenë se Autoriteti Palestinez ka paguar palestinezët e liruar sipas marrëveshjes dhe pretendon se BE-ja ka ofruar mbështetje duke e nxjerrë “të pastër” Autoritetin Palestinez, në vend që ta mbante atë përgjegjës.

Ai pretendon se tërheqja e ushtrisë izraelite nga territoret e pushtuara në Rripin e Gazës është “e lidhur me çarmatimin e Hamasit” dhe se ata më pas mund të tërhiqen nga enklava në përputhje me detyrimet e tyre sipas marrëveshjes.

Duke iu referuar votimit paraprak në Parlamentin Izraelit mbi projektligjin për aneksimin e Bregut Perëndimor, Saar tha se projektligji ishte paraqitur nga opozita. Ai tha se paraqitja e projektligjit gjatë vizitës së zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Izrael nuk ishte “as e mençur dhe as e përgjegjshme”.

Saar tha se qeveria nuk do ta mbështesë këtë hap dhe për këtë arsye projektligji për aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli nuk do të miratohet në Parlament.

Në opinionin e saj këshillimor më 22 tetor, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vlerësoi pasojat ligjore të kufizimeve të Izraelit ndaj organizatave të Kombeve të Bashkuara (OKB). Ajo vendosi se Izraeli është përgjegjës për sigurimin e ofrimit të ndihmës humanitare për civilët në Gaza, se Izraeli nuk ka arritur t’i përmbushë këto detyrime, se Izraelit i mungon autoriteti për të ndërprerë bashkëpunimin e tij me OKB-në ose për të kufizuar UNRWA-në dhe se duhet ta mbështesë UNRWA-në.

Më 28 tetor 2024, Parlamenti izraelit miratoi një ligj që e shpalli UNRWA-në organizatë të ndaluar në Izrael. Si rezultat i këtij vendimi, u kufizuan aktivitetet e UNRWA-së, e cila kishte vepruar që nga viti 1949.

MARKETING