Zyrtari palestinez: Aneksimi i planifikuar i Bregut Perëndimor nga Izraeli është deklaratë lufte

Zyrtari palestinez: Aneksimi i planifikuar i Bregut Perëndimor nga Izraeli është deklaratë lufte

Një zyrtar i lartë palestinez tha se miratimi paraprak i Izraelit për dy projektligje për të imponuar sovranitetin e tij mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe një nga vendbanimet e tij më të mëdha përbën deklaratë lufte.

Kreu i Komisionit të Kolonizimit dhe Rezistencës ndaj Murit në kuadër të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Mouayyad Shaaban në një intervistë për Anadolu tha se “asnjë vendim ose akt izraelit nuk mund të fshijë identitetin palestinez të tokës”.

Në një lexim të parë të mërkurën, Knesseti (parlamenti) izraelit miratoi dy projektligje, një për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar dhe një tjetër për të aneksuar vendbanimin Ma’ale Adumim të ndërtuar në tokën palestineze në lindje të Kudsit. Të dy projektligjet kërkojnë tre lexime shtesë para se të bëhen ligj.

Ky veprim përkoi me vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance në Tel Aviv dhe erdhi më pak se një muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi më 26 shtator se nuk do ta lejonte Izraelin të aneksonte Bregun Perëndimor.

Nëse miratohet, aneksimi do t’i jep fund çdo mundësie të mbetur për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete të parashikuar nga rezolutat e OKB-së.

– “Shpallja e luftës”

Shaaban paralajmëroi se vendimi është i rrezikshëm dhe përbën një deklaratë lufte, jo vetëm për popullin palestinez, por edhe për Kombet e Bashkuara, Këshillin e Sigurimit dhe të gjitha ligjet dhe rezolutat ndërkombëtare.

Ai u bëri thirrje palestinezëve “të jenë të pranishëm në të gjithë tokën tonë për t’i provuar edhe një herë pushtuesit (Izraelit) se kjo tokë është e jona. Asnjë deklaratë apo legjislacion nuk mund ta ndryshojë këtë. Ajo që ka rëndësi është ajo që ndodh në terren”.

Duke kujtuar aneksimin e Kudsit Lindor nga Izraeli pas Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, Shaaban tha: “Pavarësisht kësaj, minaret e Kudsit ende qëndrojnë lart dhe njerëzit e tij vazhdojnë të rezistojnë. Asgjë nuk mund ta fshijë natyrën palestineze të kësaj toke”.

– “Përgjigje e fortë dhe e unifikuar”

Ai tha se plani izraelit është rezultat i zgjerimit të vazhdueshëm gjatë dy viteve të fundit, duke thënë se “71 për qind e Bregut Perëndimor është nën kontrollin izraelit, me më shumë se 912 porta ushtarake, pika kontrolli dhe baza dhe mbi 30 për qind e Luginës së Jordanit është nën autoritetin izraelit”.

Shaaban shtoi se përgjigjja palestineze duhet të jetë e fortë dhe e unifikuar, nga sindikatat, fraksionet politike, këshillat lokale dhe familjet, me fermerët që kthehen në tokat e tyre të pushtuara prej kohësh.

Sipas faqes së internetit të Parlamentit izraelit, 25 nga 120 anëtarë votuan në favor të projektligjit për aneksimin e Bregut Perëndimor, të paraqitur nga Avi Maoz i partisë së ekstremit të djathtë Noam ndërsa 24 e kundërshtuan atë.

Projektligji për aneksimin e Ma’ale Adumim i paraqitur nga Avigdor Lieberman, udhëheqës i partisë së krahut të djathtë Yisrael Beiteinu, kaloi leximin paraprak me 32 vota pro dhe nëntë kundër, sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”.

Ma’ale Adumim i vendosur në lindje të Kudsit, është një nga vendbanimet më të mëdha në Bregun Perëndimor. Aneksimi i tij do ta ndante Kudsin Lindor nga rrethinat e tij palestineze dhe do ta ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë të shkëputura.

Palestinezët këmbëngulin që Kudsi Lindor duhet të shërbejë si kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare që hedhin poshtë pushtimin e Izraelit në vitin 1967 dhe aneksimin e qytetit në vitin 1980.

Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING