Irani: Nuk kthehemi në tryezën e negociatave derisa vazhdojnë kërkesat e paarsyeshme të SHBA-së

Irani: Nuk kthehemi në tryezën e negociatave derisa vazhdojnë kërkesat e paarsyeshme të SHBA-së

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se Teherani nuk do të kthehet në tryezën e negociatave për sa kohë që SHBA-ja vazhdon të bëjë “kërkesa të tepërta dhe të paarsyeshme”, transmeton Anadolu.

Sipas televizionit shtetëror iranian, Araghchi bëri deklarata për gazetarët në qytetin Mashhad.

“Për sa kohë që amerikanët nuk heqin dorë nga politika e tyre për të bërë kërkesa ekstreme dhe për sa kohë që kërkesat e tyre të paarsyeshme vazhdojnë, ne nuk do të kthehemi në tryezën e negociatave”, tha ai.

Ministri iranian theksoi se përfaqësuesi special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff ka kontaktuar Teheranin përmes ndërmjetësve. Araghchi tha se Izraeli dhe SHBA-ja kanë sulmuar Iranin gjatë negociatave indirekte dhe shtoi se bisedimet mund të rifillojnë nëse administrata e Washingtonit miraton një qasje negociuese respektuese që mbron interesat e palëve.

– Negociatat për armët bërthamore

Marrëveshja për armët bërthamore e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua më 14 korrik 2015, midis Iranit dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), SHBA-së, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë (5+1).

Donald Trump, i cili mori detyrën si president i SHBA-së në vitin 2017, njoftoi tërheqjen e njëanshme të vendit të tij nga marrëveshja në maj 2018.

Përpjekjet për rifillimin e negociatave mbi armët bërthamore nuk dhanë rezultat ndërsa Irani pasuroi uranium në nivelin prej 60 për qind.

MARKETING