Rama: VV-ja para 10 vjetësh s’e njihte as himnin e Kosovës le më pafajësinë e Thaçit

Rama: VV-ja para 10 vjetësh s’e njihte as himnin e Kosovës le më pafajësinë e Thaçit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila një ditë më parë tha se Rama duhet të tregojë pendesë për rolin e tij në bindjen e palëve për votimin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Rama tha se Vetëvendosja po i përzien marrëdhëniet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë me fushatën lokale në Kosovë.

“Më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës,” ka shkruar Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se gjithmonë ka kundërshtuar akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke shtuar se nuk është në “garë politike” me Vetëvendosjen.

“Unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe i kam denoncuar akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa herë ka qenë rasti apo nevoja,” ka shtuar ai.

Në lidhje me protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, Rama ka lënë të kuptohet se nuk do të marrë pjesë, duke u shprehur se frikësohet nga mundësia e politizimit të saj.

“Unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, të cilën e mbështes me gjithë zemër dhe do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” ka përfunduar Rama.

MARKETING