(VIDEO) RMV me Qendër Nacionale për Inteligjencë Artificiale

Që sot vendi ynë do të ketë Qendër Nacionale për Inteligjencë Artificiale. Ministri i Transformimit Dixhital Stefan Andonovski duke prezantuar këtë projekt tha se ky projekt kapital është e një rëndësie historike për Maqedoninë e Veriut. Qendra do të jetë njësi shoqëruese e fabrikës evropiane të inteligjencës artificiale “Pharos” me seli në Greqi, e cila do t’u ofrojë institucioneve, studiuesve, kompanive dhe startup-eve qasje në superkompjuterët evropianë dhe hapësirat e të dhënave të përparuara. Misioni i saj do të jetë të krijojë ekosistem kombëtar për aplikim të përgjegjshëm dhe të besueshëm të inteligjencës artificiale në pesë fusha prioritare.
Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Dixhital
“Ky është një projekt kapital me rëndësi historike dhe kombëtare – një faqe e re në zhvillimin dixhital të Maqedonisë, në të cilin Qeveria, universitetet dhe industria ndërtojnë së bashku një sistem kombëtar për inteligjencën artificiale, me këtë vendi ynë bëhet pjesë aktive e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencën artificiale. Ky është një hap thelbësor për komunitetin tonë shkencor, teknologjik dhe inovativ”.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve shkencore akademike si dhe sektorit privat që të kyqen në këtë projekt kombëtar me dimension evropian, me qëllim ndërtimin e një Maqedonie “të mençur”, dixhitale dhe inovative.
Projekti kap vlerën e 6 milion eurosh dhe realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Emine Ismaili /SHENJA/