Zgjedhjet lokale në Kosovë, voton presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit si banore në Komunën e Prishtinës.
Presidentja Osmani e shoqëruar nga bashkëshorti i saj ka votuar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Pas votimit, ajo tha se sa më masive të jetë pjesëmarrja në proces zgjedhor, aq më e fortë është demokracia në vend.
“Shpresoj që ky do jetë një proces me rezultate që të jenë në të mirë të qytetarëve tanë, një proces ku vota do të mbrohet me çdo kusht dhe do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim dhe si rezultat Kosova do të dalë edhe më e fortë në këto zgjedhje”, theksoi Osmani.
Osmani tha se është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre.
Osmani përsëriti faktin se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ajo tha se pret që pas Raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, të ketë edhe më shumë institucione dhe përfaqësues ndërkombëtar që do të reagojnë dhe do të marrin masa për shkeljet flagrante të Serbisë.