Shqipëri-Serbi, sfidë vendimtare për rrugën drejt Botërorit 2026

Kombëtarja shqiptare përballet sonte me një nga sfidat më të forta dhe më delikate në rrugën drejt Kupës së Botës 2026. Dueli ndaj Serbisë në stadiumin “Duboçica”, në orën 20:45, është vendimtar për fatin e kuqezinjve në Grupin K dhe për shanset reale që ata të përfshihen në zonën e “play off”-it.
Pas një serie pozitive prej pesë ndeshjesh pa humbje përfshirë tri fitore dhe dy barazime Shqipëria udhëtoi të premten drejt Serbisë, ku trajneri Sylvinho dhe stafi i tij finalizuan përgatitjet në prag të një përballjeje me shumë peshë.
Ndërkohë, ekipi serb vjen në këtë sfidë pas një humbjeje në shtëpi ndaj Anglisë (0-5), që theu një seri prej pesë ndeshjesh radhazi pa pësuar gol në Beograd. Megjithatë, në fushën e vet, skuadra e trajnerit Dragan Stojković mbetet gjithmonë e rrezikshme dhe kërkon të reagojë me një fitore që do ta rikthente në lojë për kreun e grupit.
Ky është takimi i katërt zyrtar mes Shqipërisë dhe Serbisë, me bilanc të barabartë: një fitore për secilën palë dhe një barazim. Ndërkohë një ndeshje iu dha Shqipërisë në tavolinë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, pas incidenteve të bujshme që shoqëruan përballjen në Beograd disa vite më parë.
Shqipëria ka treguar përmirësim në sfidat jashtë fushe, me tri fitore në gjashtë transfertat e fundit – edhe pse në këtë edicion eliminator ka grumbulluar vetëm një pikë në dy përballjet larg Tiranës. Tani, përballë një kundërshtari të drejtpërdrejtë për kualifikimin, një rezultat pozitiv në Leskovac do të ishte një hap madhor drejt objektivit më të madh: pjesëmarrja në Botërorin e vitit 2026.
Të gjitha sytë do të jenë të kthyer nga ky 90-minutësh i zjarrtë, ku jo vetëm pikët, por edhe krenaria kombëtare janë në lojë.