Agjencia për Shërbime Mediatike dënon gjuhën fyese të Zoran Bozhinovskit ndaj gazetarëve

Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike ka dënuar ashpër gjuhën që kryeredaktori dhe përgjegjësi i portalit burevesnik.info, Zoran Bozhinovski, përdor në postimet e tij në rrjetin social Facebook, të drejtuar ndaj gazetarëve dhe gazetareve.
Sipas reagimit të Agjencisë, shprehjet që Bozhinovski i përdor prej një kohe të gjatë janë “jashtëzakonisht vulgare dhe të padenja për çdo lloj komunikimi publik”. Siç theksohet, qëllimi i tyre i vetëm është “sulmi i ashpër, diskreditimi dhe poshtërimi i punonjësve të mediave”.
Në publikimet e tij, thuhet më tej, mungojnë argumentet, ndërsa përmbajtja përbëhet vetëm nga fyerje dhe shpifje, çka bie ndesh me standardet etike dhe normat profesionale që janë themel i funksionimit të mediave demokratike.
“Një sjellje e tillë është në kundërshtim të plotë me parimet bazë të komunikimit publik të përgjegjshëm dhe të qytetëruar”, thuhet në reagimin e Agjencisë.
Më tej, ata paralajmërojnë se mosrespektimi i dinjitetit të gazetarëve kontribuon në krijimin e një mjedisi armiqësor, që mund të çojë në presione, frikësime, gjuhë urrejtjeje, e në raste ekstreme edhe në dhunë fizike.
“Agjencia dënon ashpër një sjellje të tillë dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve në sferën publike të marrin përgjegjësi, të tregojnë vetëdije për peshën e veprimeve të tyre dhe të përmbahen nga përdorimi i një gjuhe që shërben vetëm për fyerje, nënvlerësim dhe nxitje të urrejtjes ndaj punonjësve të mediave”, thuhet mes tjerash në reagimin e ASHAAM.