Kolumbia dëbon diplomatët izraelitë pas ndalimit të Flotiljes Globale Sumud

Kolumbia dëbon diplomatët izraelitë pas ndalimit të Flotiljes Globale Sumud

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, urdhëroi të mërkurën dëbimin e të gjithë delegacionit diplomatik izraelit nga Kolumbia, pas arrestimit të dy shtetaseve kolumbiane në flotiljen që po përpiqej të dërgonte ndihma humanitare në Rripin e Gazës.

Manuela Bedoya dhe Luna Barreto ishin pjesë e ekuipazhit të Flotës Globale Sumud, një nismë ndërkombëtare që synon të thyejë bllokadën dhe të sjellë ndihma në Gaza. Sipas deklaratës së Lëvizjes Globale për Gazën, ushtria izraelite i arrestoi ato pasi flotilja arriti në një zonë me rrezik të lartë, 150 milje detare larg bregut.

Në deklaratë thuhet se edhe anije të tjera të flotiljes u ndaluan ose u sulmuan, ndërsa Petro e përshkroi këtë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të konventave të Gjenevës.

Petro paralajmëroi në platformën X, se nëse raportet janë të sakta, kjo do të përbënte një “krim të ri ndërkombëtar” nga ana e Benjamin Netanyahut.

“Marrëveshja e tregtisë së lirë me Izraelin është menjëherë e anuluar”, tha ai.

Edhe pse Petro e kishte ndërprerë tashmë marrëdhënien diplomatike me Izraelin në maj 2024, në deklaratën e tij ai shkoi një hap më tej duke urdhëruar që të gjithë përfaqësuesit diplomatikë të mbetur të Izraelit të largohen menjëherë nga territori kolumbian.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme do të paraqesë padi, përfshirë edhe para gjykatave izraelite, dhe bëri thirrje që avokatë ndërkombëtarë të mbështesin ekipin ligjor kolumbian.

Marina izraelite deklaroi se flotilja po afrohej në një zonë aktive luftarake dhe se po shkelte bllokadën detare ligjore. Ajo bëri të ditur se kishte kërkuar nga anijet të devijonin drejt portit të Ashdodit dhe përsëriti ofertën për të transferuar të gjitha ndihmat përmes kanaleve të përcaktuara dhe të verifikueshme në Gaza.

MARKETING