Trump: Hamasi ka 3-4 ditë për t’iu përgjigjur planit të paqes për Gazën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po i jep Hamasit tri deri në katër ditë për t’iu përgjigjur planit të tij të paqes me 20 pika për Gazën, duke paralajmëruar për pasoja të tmerrshme nëse grupi e refuzon atë, raporton Anadolu.
“Do të presim rreth tri ose katër ditë. Do të shohim si do të shkojë”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet për afatin kohor për një përgjigje nga grupi palestinez i rezistencës.
Ai tha se të gjitha vendet arabe dhe muslimane, si edhe Izraeli, e kanë pranuar propozimin.
“Tani po presim vetëm Hamasin dhe Hamasi ose do ta bëjë, ose jo. Dhe nëse jo, atëherë fundi do të jetë shumë i trishtueshëm”, shtoi Trump.
Të hënën, Trump prezantoi planin 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza gjatë një konference për mediat në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Plani, ndër të tjera, parashikon lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë, çarmatosjen e plotë të Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe formimin e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez për të qeverisur enklavën.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën të pabanuar dhe kanë shkaktuar uri dhe përhapje sëmundjesh.