Gjermania, Franca dhe Polonia thirrje Rusisë të ndalojë “aktet armiqësore” dhe shkeljet e hapësirës ajrore

Gjermania, Franca dhe Polonia kanë lëshuar një kërkesë të përbashkët që Rusia të ndalojë “aktet armiqësore” kundër aleatëve të NATO-s, duke paralajmëruar se shkeljet e hapësirës ajrore nga forcat ruse mund të shkaktojnë përshkallëzim të rrezikshëm, transmeton Anadolu.
Shefat e diplomacisë, Johann Wadephul i Gjermanisë, Jean-Noel Barrot i Francës dhe Radoslaw Sikorski i Polonisë, që përfaqësojnë grupin e Trekëndëshit të Vajmarit të fuqive të BE-së, lëshuan deklaratën pas bisedimeve të tyre në Varshavë.
“Ne riafirmojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë të palëkundur për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe vlerat themelore të përbashkëta evropiane kundër luftës së vazhdueshme të agresionit të Rusisë”, thanë ministrat në deklaratën e tyre të përbashkët.
“Shkeljet e fundit të hapësirës ajrore polake, rumune dhe estoneze ishin akte të pamatura, armiqësore dhe përshkallëzim i papranueshëm që kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe evropian. Ne i dënojmë këto provokime dhe i bëjmë thirrje Federatës Ruse që t’i ndërpresë veprimet e tilla, të ndërpresë menjëherë luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës dhe të hyjë në negociata të paqes sipas kushteve të rëna dakord me Kievin”, paralajmëruan ata.
Kryediplomatët theksuan se do të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e Evropës, do të ndërmarrin hapa me aleatët e tjerë të NATO-s për të mbrojtur hapësirën ajrore, për të forcuar aftësitë e tyre të mbrojtjes ajrore dhe raketore, si dhe për të forcuar sigurinë në krahun lindor të NATO-s.
“Inkursionet armiqësore ruse nuk do të na frikësojnë. Ato vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë. Mbrojtja kolektive e NATO-s, siguria e qytetarëve tanë dhe paprekshmëria e kufijve tanë janë të pandryshueshme”, thanë ata.
Siç theksuan ata, një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Evropë mbetet qëllimi i tyre përfundimtar dhe derisa të arrihet do “të vazhdojmë mbështetjen tonë ushtarake, humanitare dhe financiare për Ukrainën si anëtare e familjes evropiane dhe viktimë e ambicieve imperiale të Moskës”.