(VIDEO) Ademi: Futja e bankës serbe në vend mban firmën e VLEN-it

Bashkimi Demokratik për Integrim i ka hedhur poshtë akuzat që ditëve të fundit po vijnë në adresë të kësaj partie nga Koalicioni VLEN, të cilët pretendojnë se Ali Ahmeti ka lidhje me rrejtin financiar serb. Zëdhënësi i partisë, Arbër Ademi i ka quajtur shpifje dhe trillime këto akuza. Ai tha se, BDI gjatë ekzistencës së saj nuk ka qenë asnjëherë pjesë e rrjeteve të huaja financiare apo vendore, e aq më pak pjesë e këtyre rrjeteve të cilët vijnë nga regjime shtypëse ndaj shqiptarëve.
Arbër Ademi, BDI
“Konkretisht, zonja Bujare Abazi, kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë, më 10 shtator të këtij viti ka lejuar depërtimin e bankës serbe, Alta Banka, në Maqedoni, duke ia mundësuar kësaj banke që të blejë aksione. Pra, këtë krim institucional të cilin vetë ata e bëjnë, tentojnë t’ia mveshin dikujt tjetër. Ka vulë, ka firmë. Vula dhe firma e Vlen-it është për këtë tradhti që po ia bëjnë vendit në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti. Ata vetë janë të kapur nga bota serbe dhe akuzojnë të tjerët për të njëjtën gjë. Mirëpo kjo nuk kalon”.
Ademi gjatë kësaj konference për media, ka reaguar edhe në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së mjeteve nga kredia hungareze. Sipas tij, qeveria po zhvillon politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i përjashtuar ata nga zhvillimi ekonomik i vendit.
Ai tha se, 250 milionë euro kredi të subvencionuara nga shteti janë shpërndarë për kompani maqedonase, ndërsa kompanitë shqiptare kanë përfituar thuajse ZERO.
Teuta Buçi /SHENJA/