(VIDEO) Nga mesnata fillon zyrtarisht fushata zgjedhore

Sonte në mesnatë fillon edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, për të cilat raundi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Zgjedhjet lokale të këtij viti, janë të tetat që nga pavarësia e vendit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, ka gjithsej 309 kandidatë për kryetar komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunale me gjithsej 10,490 kandidatë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi u ka adresuar sot një thirrje të gjitha subjekteve politike në vend që garojnë në këto zgjedhje, të bëjnë fushatë të ndershme dhe t’iu përmbahen parimeve demokratike. Ai porositi që, gara politike të zhvillohet në frymën e një demokracie të shëndetshme, të jetë garë idesh e programesh- pa incidente, pa frikësime, pa fyerje apo denigrime.
Afrim Gashi, kryeparlamentar
“I ndërgjegjshëm për detyrën unifikuese që kam, ndjej obligim të bëj një thirrje të qartë tek të gjitha subjektet politike, kandidatët dhe strukturat organizative, instituiconet dhe mediat, aktivistët dhe qytetarët: të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike dhe qytetare. Të përmbahen nga çdo formë presioni, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, propaganda polarizuese dhe nga keqpërdorimi i resurseve publike. Kuvendi tashmë është shprehur me unitet përmes Deklaratës së përbashkët për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kujtoj që respektimi i kësaj Deklarate është një obligim moral e politik për secilin në këtë fushatë”.
Siças të dhënave të Komisioni Shtetëror Zgjedhor të drejtë vote në zgjedhje kanë gjithsej 1,832,415 votues, prej tyre j 112,000 votues që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga azilet e pleqve.
Në vend janë identifikuar 3,480 qendra votimi, nga të cilat 132 qendra votimi kanë më pak se dhjetë votues të nënshkruar, në të cilat votimi do të zhvillohet në qendrën më të afërt të votimit.
Teuta Buçi /SHENJA/