Tarifa doganore prej 100% për barnat, BE: Marrëveshja tregtare me SHBA na mbron

Ka një angazhim të qartë nga Shtetet e Bashkuara që edhe produktet farmaceutike të mbeten nën kufirin maksimal prej 15%, siç është negociuar prej nesh dhe futur në deklaratën e përbashkët”. Pas një dite me tension të lartë, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, i vuri kapak rrezikut për rihapjen e një lufte tregtare me SHBA. Marrëveshja Uashington-Bruksel nuk vihet në diskutim.
E gjithë kjo nisi me shpalljen e tarifave të reja nga Donald Trump: plus 25% mbi kamionët, 50% mbi mobiliet e kuzhinës dhe banjës dhe madje 100% mbi ilaçet. Qëllimi i presidentit amerikan është të mbrojë “prodhuesit tanë”. Ideja bazë është rindërtimi dhe forcimi i industritë amerikane. E në fakt, përsa i përket barnave, ai sqaroi se “nuk do të ketë tarifa mbi këto produkte farmaceutike nëse kompanitë kanë nisur tashmë ndërtimin e fabrikave në Shtetet e Bashkuara”. Megjithatë, pikërisht mbi ilaçet dhe drurin, shpallja binte ndesh me marrëveshjen e arritur me Bashkimin Europian. “Kur kemi diskutuar mbi këto çështje – kujtoi Sefcovic – produktet farmaceutike, druri dhe gjysmëpërçuesit u futën në kategorinë me tarifë 15%. Prandaj pres që ky angazhim të respektohet”.
Sipas tij, deri tani të gjitha marrëveshjet janë respektuar: “Dje u publikua në Regjistrin Federal një njoftim që fut një kufi prej 15% për eksportet e makinave dhe pjesëve të këmbimit drejt Shteteve të Bashkuara, me efekt prapaveprues duke filluar nga 1 gushti, si dhe për sektorë të tjerë të përjashtuar, si për shembull industria aerohapësinore dhe barnat gjenerike, duke nisur nga 1 shtatori. Pra, nga ana e SHBA gjithçka është respektuar siç është rënë dakord, dhe edhe nga ana jonë, pasi kemi paraqitur propozimin tonë ligjor për uljen e tarifave mbi eksportet amerikane në BE para fundit të gushtit”.
Me pak fjalë, Komisioneri i BE-së nuk sheh arsye për të rihapur një marrëveshje të “negociuar fjalë për fjalë, rresht për rresht, presje për presje” dhe që “duhet të respektohet”. Për Pallatin Berlaymont, që pavarësisht kritikave mbron me vendosmëri këtë marrëveshje, ajo konsiderohet madje si “një policë sigurimi që garanton operatorët ekonomikë europianë se nuk do t’u aplikohen tarifa më të larta”.
Në boshtin SHBA-BE mbetet megjithatë nyja e çelikut dhe aluminit, mbi të cilët tarifat vazhdojnë të jenë të larta. “Duhet të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje – shpreson Sefcovic – nuk jemi problem për njëri-tjetrin”. Në fakt, eksporti europian i këtyre materialeve drejt SHBA është i kufizuar dhe i përqendruar “në segmente shumë të specializuara”. Për këtë arsye, Komisioni do t’i dërgojë Uashingtonit në orët në vijim një letër me një propozim konkret, duke nënvizuar masat mbrojtëse europiane për çelikun “në dritën e mbikapacitetit global dhe tarifave të larta mbi derivatet që po krijojnë vështirësi për shumë ndërmarrje”. Një referencë kjo për marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Dhe në fakt Brukseli po përgatit tarifa mbrojtëse të zgjeruara mbi çelikun dhe derivatet e tij që vijnë nga Kina. Një përqindje që do të luhatet mes 25 dhe 50%. Në këtë kuadër BE planifikon mundësinë e kushtëzimit të dhënies së tenderëve publikë me rregulla të tipit “Buy European”: metrotë, urat dhe linjat hekurudhore do të duhet të ndërtohen me çelik të gjelbër europian. Ndërmarrjet e mëdha dhe kompanitë e qirasë së makinave do të duhet të shtyhen, përmes kuotave, që të preferojnë makinat elektrike europiane për flotat e tyre./La Repubblica