Tony Blair në “bisedime” për të udhëhequr autoritetin kalimtar të Gazës, në modelin e frymëzuar nga Kosova e pasluftës

Tony Blair në “bisedime” për të udhëhequr autoritetin kalimtar të Gazës, në modelin e frymëzuar nga Kosova e pasluftës

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, thuhet se është në diskutime për të udhëhequr një autoritet kalimtar pas luftës në Gaza, transmeton Anadolu.

Raportimet në ‘Economist’ dhe ‘BBC’ thanë se Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar i Gazës (GITA) i propozuar do të mbështetet nga OKB-ja dhe vendet e Gjirit, me Blair që do të mbikëqyrë qeverisjen përpara se t’ua kthejë kontrollin palestinezëve.

Autoriteti do të kërkojë një mandat të OKB-së për të shërbyer si “autoriteti suprem politik dhe ligjor” i Gazës për pesë vjet.

Plani do të modelohet sipas administratave ndërkombëtare që mbikëqyrën tranzicionet drejt shtetësisë në Kosovë dhe Timorin Lindor, fillimisht duke vepruar nga Egjipti të mbështetur nga një forcë shumëkombëshe pranë kufirit jugor të Gazës para zhvendosjes në enklavë pasi kushtet të stabilizohen.

Zyra e Blair tha se ai nuk do të mbështeste asnjë plan për të zhvendosur banorët e Gazës.

Autoriteti fillimisht do të veprojë nga Egjipti para se të hyjë në Gaza së bashku me një forcë shumëkombëshe sapo të stabilizohen kushtet.

Në muajin gusht, Blair mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar planet për territorin palestinez, të përshkruara nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, si “shumë gjithëpërfshirëse”.

Raportet për diskutime rreth përfshirjes së tij në një autoritet kalimtar për Gazën vijnë pasi presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dje tha se është gati të punojë me Trumpin dhe udhëheqës të tjerë botërorë për të zbatuar një plan paqeje me dy shtete.

Abbas theksoi refuzimin e tij për një rol qeverisës të ardhshëm për Hamasin në Gaza dhe kërkoi që grupi të çarmatoset.

Ndërkohë, njohja evropiane e shtetësisë palestineze u përshpejtua, duke u shkëputur nga narrativa e Izraelit për pushtim të pacaktuar.

Gjashtë vende të tjera, respektivisht Luksemburgu, Belgjika, Andorra, Franca, Malta, Monako dhe San Marino, njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës të hënën gjatë një samiti të nivelit të lartë në New York përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky veprim erdhi vetëm një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Portugalia njoftuan njohjen, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve që e kanë njohur Palestinën në 159 nga 193 shtete anëtare të OKB-së që kur udhëheqësi i ndjerë palestinez, Yasser Arafat, shpalli themelimin e shtetit në Algjer në vitin 1988.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 65.500 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

MARKETING